Botë

Koreja e Jugut ndalon ngrënien e mishit të qenit

Descriptive Text

Koreja e Jugut e ka ndaluar me ligj therjen dhe shitjen e mishit të qenit.

BBC-ja ka raportuar të martën se ligji synon t’i japë fund praktikës shekullore të ngrënies së këtij mishi, derisa viteve të fundit interesimi për të kishte rënë dukshëm.

Sipas ligjit, rritja ose therja e qenve për konsum do të ndalohet, si dhe shpërndarja ose shitja e mishit të qenit. Ata që dënohen për këtë vepër mund të përfundojnë në burg.

Legjislacioni i ri do të hyjë në fuqi pas tre vjetësh, duke u dhënë kohë fermerëve dhe pronarëve të restoranteve të gjejnë burime alternative punësimi dhe të ardhurash.

Ata do të duhet të paraqesin një plan për ta hequr mishin e qenit nga menytë.

Qeveria ka premtuar se do t’i mbështesë plotësisht fermerët e mishit të qenve, kasapët dhe pronarët e restoranteve, bizneset e të cilëve do të detyrohen të mbyllen, megjithëse detaje se çfarë kompensimi do t’u bëhet s’janë bërë të ditura.

Sipas statistikave të qeverisë, Koreja e Jugut i ka rreth 1,600 restorante të mishit të qenve dhe 1,150 ferma qensh në vitin 2023.

Zierja e mishit të qenit, e quajtur “boshintang”, konsiderohet një delikatesë në mesin e disa koreanëve të moshuar, por mishi nuk është më i popullarizuar tek të rinjtë.