Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kundërshtari i tij i mundshëm, Donald Trump kanë sulmuar njëri-tjetrin në kohën kur fushata për zgjedhjet e 2024-ës për Shtëpinë e Bardhë ka filluar të nxehet.
Joe Biden ka thënë se një pjesë e motivimit të tij për të kandiduar për një mandat të dytë vitin e ardhshëm është që të pengojë republikanin, duke shtuar se “nuk bën ta lëmë atë të fitojë”.
Trumpi ka thënë se ai mendon se Bideni është shumë i vjetër për një garë të tillë politike.
As Bideni e as Trumpi nuk janë zgjedhur zyrtarisht si kandidatë nga partitë e tyre përkatëse, për zgjedhjet presidenciale në SHBA vitin e ardhshëm.
Trumpi është kandidati kryesor për t’u nominuar nga republikanët edhe pse përballet me katër çështje penale.
Bideni, si president, pritet të jetë kandidat nga radhët e demokratëve.
Sondazhet aktuale tregojnë një garë hipotetike të ngushtë midis të dyve.
“Nëse Trumpi nuk do të kandidonte, nuk jam i sigurt se do të kandidoja edhe unë. Por ne nuk mund ta lëmë atë të fitojë”, është shprehur Bideni, në një deklaratë të dhënë prapa kamerave.
Trumpi ka thënë se nuk mendon se Bideni është i gatshëm fizikisht për fushatën rraskapitëse.
Gjendja mendore e rivalit tim, ka shtuar Trumpi, është “ndoshta po aq e keqe apo edhe më e keqe” sesa gjendja e tij fizike.
Donald Trump nuk do të marrë pjesë as në debatin e katërt të kandidatëve republikanë për fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, të mërkurën, i cili do të mbahet në Alabama.