Agjencia e OKB-së e motit ka njoftuar të enjten se viti 2023 është i sigurt se do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar dhe ka paralajmëruar për tendencat shqetësuese që sugjerojnë rritje të përmbytjeve, zjarreve pyjore, shkrirjes së akullnajave dhe valëve të të nxehtit në të ardhmen, raporton agjencia “AP”.
Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëroi gjithashtu se temperatura mesatare për vitin është rritur rreth 1.4 gradë Celsius nga koha para-industriale – një e dhjeta e shkallës nën kufirin e synuar për fundin e shekullit, siç përcaktohet nga marrëveshjen e Parisit për klimën.
Sekretari i Përgjithshëm i OBM-së, Petteri Taalas, ka thënë se fillimi i El Nino-s në fillim të këtij viti, fenomeni i motit i shënuar nga ngrohja në Oqeanin Paqësor, mund ta kthejë temperaturën mesatare vitin e ardhshëm mbi kufirin e synuar prej 1.5 gradë të vendosur në Paris.
Konferenca vjetore e OKB-së për klimën, këtë vit do të mbahet në Dubai.
Agjencia e OKB-së ka njoftuar se pikë referimi për objektivin kryesor të marrëveshjes së Parisit do të jetë nëse rritja prej 1.5 shkallësh do të mbahet në një hark kohor 30-vjeçar – jo vetëm një vit të vetëm – por të tjerë thonë se bota ka nevojë për më shumë qartësi për këtë.