Botë

Sllovenia ashpërson rregullat e trafikut, synon që të mos ketë mbi 50 të vdekur në aksidente

Parlamenti i Sllovenisë ka miratuar rezolutën për programin kombëtar të sigurisë rrugore për shtatë vjetët e ardhshme, e cila përfshin kufizimin e shpejtësisë së lëvizjes në 30 km/h në disa rrugë dhe uljen e sasisë së lejuar të alkoolit në 0.0 për mijë.

Masat e reja synojnë që deri në vitin 2030 jo më shumë se 50 persona të vdesin në aksidente dhe jo më shumë se 400 të lëndohen.

Rezoluta parashikon zhvillimin e infrastrukturës për të promovuar gjithashtu përdorimin e sigurt të transportit publik, ecjes, çiklizmit dhe formave të tjera të lëvizshmërisë.

Është planifikuar zgjerimi i zonës ku shpejtësia e lejuar nuk kalon 30 kilometra në orë, veçanërisht pranë shkollave, kopshteve, në kryqëzimet e trafikut dhe zonave të populluara.

Ndër të tjera, rezoluta parasheh ashpërsim të ligjit për kundërvajtësit e trafikut dhe mundësinë e ngritjes së kërkesës për dëmshpërblim në ndonjë aksident të rëndë trafiku për shkak të alkoolit apo drogës nga 13.560 euro në 130 mijë euro.