Sëmundjet e patrajtuara mund të vrasin më shumë njerëz në Gaza sesa bombardimet nëse sistemi shëndetësor nuk kthehet, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, shkruan BBC.
Diarreja dhe infeksionet e frymëmarrjes janë të përhapura në mesin e fëmijëve në objektet e mbipopulluara të OKB-së, ku janë strehuar pothuajse 1.1 milionë njerëz.
Pacientët me sëmundje kronike si kanceri gjithashtu nuk po marrin asnjë trajtim.
Paralajmërimi vjen pasi armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit hyri në ditën e pestë, pasi u ra dakord për zgjatje edhe për 48 orë.
Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, 20 gra dhe fëmijë të tjerë izraelitë të mbajtur peng në Gaza do të lirohen në këmbim të 60 grave dhe adoleshentëve palestinezë në burgjet izraelite.
Të hënën, 11 pengje dhe 33 të burgosur u liruan në ditën e katërt dhe të fundit të marrëveshjes fillestare, duke e çuar totalin në 50 pengje dhe 150 të burgosur të liruar.
19 shtetas të huaj, njëri prej të cilëve ka nënshtetësi izraelite, janë liruar gjithashtu nga Hamasi sipas marrëveshjeve të veçanta.
Izraeli nisi fushatë ushtarake në Gaza dhe vendosi rrethim në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit më 7 tetor, në të cilin u vranë të paktën 1200 njerëz dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.
Qeveria e drejtuar nga Hamasi i Gazës thotë se më shumë se 14.800 njerëz janë vrarë në territor që nga fillimi i luftës.
OKB vlerëson se më shumë se 1.8 milionë njerëz në Gaza janë larguar nga shtëpitë e tyre gjatë shtatë javëve të fundit. Rreth 60% e tyre janë strehuar në 156 objekte që i përkasin agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, Unrwa.