Botë

“Është mallkim të jesh prind në Gaza”, mbi 3,600 fëmijë palestinezë të vrarë në 3 javë

Më shumë se 3,600 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Ata u goditën nga sulme ajrore, raketa të hedhura gabimisht, u dogjën nga shpërthimet dhe u shtypën nga ndërtesat, dhe në mesin e tyre ishin fëmijë të sapolindur, gazetarë dhe djem që mendonin se do të ishin të sigurt në një kishë.

Gati gjysma prej 2.3 milionë banorëve janë nën 18 vjeç, dhe fëmijët përbëjnë 40% të atyre që janë vrarë deri tani në luftë. Një analizë e Associated Press tregoi se deri më 26 tetor 2,001 fëmijë nën 12 vjeç janë vrarë, përfshirë 615 më të vegjël se 3 vjeç.

“Kur shtëpitë shkatërrohen, ato rrënohen mbi kokat e fëmijëve”, ka thënë shkrimtari Adam al-Madhoun, ndërsa përqafonte vajzën e tij 4-vjeçare në spital. Ajo i mbijetoi një sulmi ajror që ia këputi krahun e djathtë, ia dëmtoi këmbën e majtë dhe pësoi fraktura në kafkë.

Izraeli ka thënë se sulmet e tij ajrore kanë cak zonat dhe infrastrukturën e militantëve të Hamasit, dhe akuzon grupin se po i përdor civilët si mbrojtje njerëzore. Po ashtu, ka deklaruar se 500 raketa të militantëve janë hedhur gabimisht dhe kanë rënë në Gaza duke vrarë një numër palestinezësh.

Më shumë fëmijë janë vrarë në vetëm tri javë në Gaza se në çdo konflikt tjetër në botë nëse bëhen së bashku në tri vjetët e fundit, sipas “Save the Children”.

“Gaza është bërë varrezë për mijëra fëmijë”, ka thënë UNICEF-i.

Pamjet tronditëse të fëmijëve që nxirren nga rrënojat në Gaza ose nëpër spitale, janë bërë të përditshme dhe kanë nxitur protesta në botë.

“Është mallkim të jesh prind në Gaza”, ka thënë Ahmed Modawikh, një 40-vjeçar jeta e të cilit u shkatërrua me vdekjen e vajzës së tij 8-vjeçare gjatë luftimeve pesëditore në maj.

Fëmijë izraelitë gjithashtu janë vrarë. Gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor u vranë mbi 1,400 persona. Mes tyre edhe fëmijë, kanë thënë zyrtarët e Izraelit.

Ndërsa avionët luftarakë të Izraelit gjuajnë Gazan, fëmijët palestinezë ikin me familjet e tyre në strehimore të OKB-së ose në apartamente. Edhe pse Izraeli u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazas, asnjë vend në territor nuk është dëshmuar si i sigurt nga sulmet e tij ajrore.

Mjekët kanë thënë se lufta ka lënë të lënduar mbi 7,000 fëmijë palestinezë dhe shumë prej tyre me probleme të përjetshme.

Image
Sa njerëz kanë vdekur deri më tani