Botë

Pas gazsjellësit, dëmtohet një kabllo telekomunikimi mes Suedisë e Estonisë

Një kabllo nënujore e telekomunikimit mes Suedisë dhe Estonisë është dëmtuar, ka thënë qeveria suedeze, incidenti i dytë i tillë që raportohet brenda javës në atë rajon.

Ministri i Mbrojtjes, Carl-Oskar Bohlin, ka thënë se dëmi në kabllo duket të ketë ndodhur në të njëjtën kohë kur gazsjellësi dhe kabllo e telekomunikimit mes Finlandës dhe Estonisë u dëmtuan më 8 tetor.

“Aktualisht nuk mund ta përcaktojmë se çfarë e shkaktoi dëmin. Nuk është shkatërrim total, por dëm i pjesshëm i kabllos”, ka thënë Bohlin.

Dëmi në gazsjellës u zbulua javën e kaluar, e më pas çoi në zbulimin e dëmit në kabllo. Një hetim për sabotim është duke ndodhur.

Helsinki nuk ka përjashtuar mundësinë që prapa tyre të fshihet një akter shtetëror. Presidenti rus ka mohuar çdo sugjerim se Rusia ka qenë prapa dëmit.