Greqia sërish është përballur me përmbytje të mëdha. Pjesa qendrore është përfshirë nga një stuhi e fuqishme që ka shkaktuar dëme të shumta.
Zona më e goditur është ishulli Evia teksa Qeveria greke ka deklaruar se adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike duhet të bëhet prioritet kombëtar.
Ushtria dhe ekipet e komunës kanë larguar gjësendet nga rruga afër qyteteve Limni dhe Mantoudi në veri të ishullit.
Shërbimi i zjarrfikësve ka marrë disa telefonata për ndihma nga shtëpitë e përmbytura.
Autoritetet janë në gjendje gatishmërie në pjesën qendrore të Greqisë për shkak se në fillim të muajit shtator nga përmbytjet vdiqën 16 persona.
Qeveria ka vlerësuar se dëmet nga stuhia kanë tejkaluar shifrën e 2 miliardë dollarëve, ndërkaq vetëm për riparimin e infrastrukturës duhen së paku 700 milionë euro.
Bashkimi Evropian i ka premtuar Greqisë fonde emergjente dhe është duke negociuar pakon e ndihmave për të përballuar dëmet e shkaktuara nga zjarret dhe përmbytjet.