Si pjesë e kundërofensivës së gjatë, forcat ukrainase kanë kthyer kontrollin e një fshati në lindje të vendit teksa po vazhdojnë luftimet me forcat ruse.
Ushtria ukrainase ka njoftuar se forcat e saja kanë kthyer kontrollin e fshatit Andrivka, 10 kilometra në jug të qytetit të pushtuar të Bakhmutit në rajonin e Donetskut.
Kontrolli i fshatit të madh është fitore e madhe për Kievin që deri më tani ngadalë ka avancuar në territoret e pushtuara nga Rusia.
Në pamjet nga fshati, shihen shtëpitë e dëmtuara rëndë. Kthimin e kontrollit të fshatit e ka konfirmuar edhe gjenerali i forcave të armatosura të Ukrainës.
Ndërkaq, nuk ka pasur konfirmim apo koment nga Rusia në lidhje me avancimin e forcave ukrainase në fshatin Andriivka.
Gjeneralët amerikanë së fundmi kanë parashikuar se kundërofensiva ukrainase ka edhe pak ditë afat para se të përkeqësohet moti që do të vështirësojë lëvizjet ushtarake.
Mirëpo zhvillimet e deritashme i kanë cilësuar si të suksesshme në përpjekjet e Ukrainës për të kthyer territoret e pushtuara nga Rusia.