Botë

Diktatori veri-korean përkrah luftën ruse në Ukrainë

Foto: Reuters

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka deklaruar përkrahjen e tij për Rusinë duke thënë se ushtria ruse dhe populli i saj do të sigurojnë fitore të madhe në Ukrainë.

Në takimin me presidentin rus, Vladimir Putin, diktatori veri-korean ka thënë se Rusia do të jetë fitimtare në fushën e betejës dhe se në të ardhmen do të jetë shtet shumë i fuqishëm.

Gjatë darkës formale të organizuar nga Putini në bazën ruse në Lindjen e Largët, dy shtetet janë pajtuar që të zhvillojnë marrëdhënie strategjike për të mbrojtur sovranitetin e tyre.

Putini ka thënë se ka mundësi të bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Muaj më parë, mediat ndërkombëtare kanë raportuar se Rusia i ka kërkuar armatim Koresë së Veriut për shkak të vështirësive në prodhimin e armatimit të vet.

Shteti diktatorial në këmbim do të marrë teknologjitë e avancuara të Rusisë.

Kim Jong-Un ka thënë se gjithmonë do t’i përkrahë vendimet e Putinit dhe se janë bashkë në betejën e tyre kundër imperializmit.

Takimi i dy liderëve ka shpërfaqur interesin e tyre për t’u bashkuar teksa po përballen me konfrontime të ndara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me Rusinë për shkak të luftës që ka nisur në Ukrainë, ndërkaq me Korenë e Veriut për zhvillimin e programit bërthamor.