Botë

Kim Jong Un mbërrin në Rusi, do të takohet me Putinin

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka mbërritur në Rusi për të zhvilluar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar mbi mundësinë e furnizimit me armë verikoreane, për luftën në Ukrainë.

TheGuardian ka shkruar të martën se takimi pritet të mbahet pasdite në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor, në qytetin Vladivostok, ku presidenti Putin tashmë ka mbërritur.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se udhëtimi i Kim Jong Unit në Rusi do të jetë e shkallës së lartë, për të forcuar lidhjet mes Rusisë e Koresë së Veriut.

Ky takim, sipas mediumit britanik, po zhvillohet mes shqetësimeve të Perëndimit se Koreja e Veriut planifikon t’i ofrojë armë Moskës, për t’i zëvendësuar rezervat “që janë varfëruar tepër gjatë 18 muajve të luftimeve”.

“Janë interesat e dy vendeve tona në të cilat do të fokusohemi”, ka shtuar Peskov.

“Siç e dini, derisa zbatojmë marrëdhëniet tona me fqinjët tanë, përfshirë Korenë e Veriut, interesat e dy vendeve tona janë të rëndësishme për ne, dhe jo paralajmërime nga Washingtoni”, ka shtuar Peskov.