Botë

Influencuesit, përfituesit më të mëdhenj të luftës ruse në Ukrainë

Për të mësuar se si bëhet reklamimi, ekipi i BBC-së është shtirur si grup i hoteleve i interesuar për reklamim me postime nëpër kanalet e tyre në Telegram. BBC-ja ka arritur te reklamuesit më të njohur të këtij rrjeti social.

Influencuesit pro-luftës së Rusisë janë duke fituar me të madhe nga postimet për konfliktin në Ukrainë.

Përveç videove të përditshme për sulmet me dronë dhe lajmet e rrejshme për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ata postojnë reklama për gjithçka prej kriptomonedhave e deri te moda e veshjeve.

Të njohur në Rusi si “Blogerët-Z” për shkak të përkrahjes së tyre për luftën që është simbolizuar me shkronjën “Z”, ata shpesh janë të lidhur me ushtrinë ruse dhe postojnë video nga fronti i luftës. Me këto video, të rinjve rusë u bëhet thirrje që t’i bashkohen ushtrisë.

Që prej fillimit të pushtimit të plot në shkurtin e vitit 2022, ndikuesit pro-luftës kanë arritur miliona ndjekës në Telegram, rrjet social që shumë rusë tani e përdorin për shkak se presidenti i tyre, Vladimir Putin i ndaloi Instagramin, Facebookun dhe Twitterin.

Ky shpërthim në përdorues ka nxitur tregun e reklamimit në Telegram. Nga kjo kanë përfituar ndikuesit e luftës. Ata kanë shitur hapësirat e tyre për kompanitë që kërkojnë të arrijnë te audiencat më të reja.

Për të mësuar se si bëhet reklamimi, ekipi i BBC-së është shtirur si grup i hoteleve i interesuar për reklamim me postime nëpër kanalet e tyre në Telegram. BBC-ja ka arritur te reklamuesit më të njohur të këtij rrjeti social.

Çmimi i reklamave

Një prej tyre është Alexander Kots, korrespodent veteran për gazetën pro-qeverisë. Ai është shndërruar në ndikues të luftës dhe ka më shumë se 600 mijë ndjekës në kanalin e tij personal në Telegram.

Semyon Pego, i njohur si WarGonzo është një tjetër reklamues. Ndoshta më i njohuri prej Z-blogerëve. Ka më shumë se 1.3 milion ndjekës.

Kot ka thënë se një postim në kanalin e tij kushton nga 48 mijë deri në 70 mijë rubla (440 deri në 680 funte), varësisht se sa gjatë dëshirojnë të jenë reklamat në murin e tij të postimeve. WarGonzo ka thënë se për një postim kërkon 1 mijë e 550 funte.

Ndikuesit më të famshëm postojnë një reklamë në ditë dhe fitimi i tyre potencial kap vlerën sa paga mesatare në Rusi prej 66 mijë rublash (550 funte).

Agjenti i reklamave që punon me kanalet e lidhura me grupin mercenar të Wagnerit, ka thënë se një postim në Grey Zone, kanal me qasje ekskluzive te Wagneri, kushton 260 funte. Ky kanal ka 600 mijë ndjekës.

Për të reklamuar në kanalin e Alexander Simonovit, korrespodent i luftës në portalin Ria Fan, i hapur së fundmi nga Yevgeny Prigozhin, agjenti kërkonte 180 funte për postim.

Reporteri tjetër i këtij portali, Alexander Yaremchuk, ka më pak ndjekës dhe çmimi i tij ishte 86 funte për postim.

Teksa shumë Z-bloger kanë përvojë të madhe në raportimet e luftës për mediat shtetërore, të tjerët si Mayrana Naumova nuk kanë aspak përvojë.

Ish-peshëngritësja, bëri kurs të raportimit në bazën e mercenarëve të Wagnerit dhe tani është moderatore në emisionin e vet në televizionin kombëtar.

BBC-ja ka bërë përpjekje të intervistojë këta blogerë lufte, por vetëm Alexander Kots u pajtua që të fliste.

Teksa fliste nga qyteti i pushtuar i Bakhmutit në Ukrainë, ai e ka cilësuar veten si reporter me informacione për luftën. Nuk dëshiron ta kuptoj se propaganda e Rusisë, pjesërisht, varet nga njerëzit si ai.

“Ministria e Mbrojtjes shpesh na dëgjon neve, ne kemi kanalet private dhe e informojmë. Ndodh prapa skenave dhe unë e bëj këtë”, ka thënë Kots.

Tregu në rritje për materialin e Z-blogerëve mbështetet nga rrjedhë e qëndrueshme e videove ekskluzive. Pamjet u sjellin atyre ndjekës të ndryshëm, nga audienca vendase pro-luftës deri te analistët perëndimorë dhe ukrainas që përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë në llogoret ruse.

Video të inskenuara

Megjithatë, disa nga videot e postuara nga blogerët pro luftës janë false.

Marsin e kaluar, influencues të shquar, përfshirë Alexander Kots, postuan një video me kamera që supozohej se tregonte dy ushtarë ukrainas duke ndaluar një makinë me një grua dhe fëmijë të vogël.

Personat e armatosur në video e quajnë gruan “derr” sepse flet rusisht dhe e kërcënojnë atë. Z-blogerët kanë thënë se videoja ishte shembull i përsosur se si Ukraina i trajtonte civilët.

Mirëpo ne kemi mësuar se videoja është shkrepur në Makiivka, qytet afër Donetskut. Kjo zonë e Ukrainës është pushtuar nga forcat prokure pro-ruse që nga viti 2014. Është e pamundur që një ushtar ukrainas me uniformë të mund të ketë vepruar në këtë territor të pushtuar. Përveç kësaj, përdorimi i kamerave është i paligjshëm në Ukrainë. Ndalimi u vendos pas pushtimit të plotë rus për të mbajtur sekret lëvizjet e ushtrisë

Dhe kryqi në automjet është i ndryshëm nga ai i përdorur nga forcat e armatosura të Ukrainës. Të gjithë këta elementë sugjerojnë se videoja është e inskenuar.

Është një nga shumë falsifikimet e përhapura nga Z-blogerët për të inkurajuar të rinjtë rusë që të mbështesin luftën, dhe ka prova se po kanë sukses.

Në një video, një rus i mobilizuar thotë se shkoi në një qendër rekrutimi pasi kishte parë një numër videosh nga Vladlen Tatarsky, një nga blogerët më të zëshëm. Tatarsky u vra në prill 2023 në një takim me fansat e tij.

Një tjetër burrë rus që doli vullnetar për të luftuar në Ukrainë i ka thënë një blogeri se e bëri këtë pasi kishte parë shumë raporte të WarGonzo. “I ndjek të gjitha lajmet dhe analizat ushtarake në Telegram”, ka thënë ai duke iu referuar Z-blogerëve.

I pyetur për t'iu përgjigjur rritjes së blogerëve të luftës pro-Putin në platformë, Telegrami ka sqaruar se ishte “platforma e fundit përmes së cilës rusët mund të qasen në media të pavarura si Meduza, lajme të pacensuruara ndërkombëtare si BBC ose fjalimet e [Presidentit] Zelensky”.

Një zëdhënës ka thënë se ndërsa të gjitha palët “trajtoheshin në mënyrë të barabartë”, Telegram respektoi sanksionet ndërkombëtare dhe bllokoi mediat shtetërore ruse “aty ku ligjet e ndalojnë”.

Gjatë rrjedhës së luftës, presidenti Putin ka treguar vlerësimin e tij për përpjekjet e Z-blogerëve. Ai emëroi Alexander Kots në këshillin presidencial të të drejtave të njeriut dhe bëri Semyon Pegov dhe disa blogerë të tjerë anëtarë të një grupi pune për mobilizimin.

Në qershor, ai ftoi në Kremlin influencues pro-luftës dhe gazetarë të medias shtetërore për një bisedë dy-orëshe.

“Lufta në hapësirën e informacionit është fushëbetejë. Dhe atë vendimtare”, u kishte thënë Putini në takim. “Dhe unë vërtet mbështetem në ndihmën tuaj”.

Përgatiti: Gent Mehmeti