Botë

SHBA-ja sanksionon rusë për abuzim me fëmijë ukrainas

Në përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë sanksionuar disa individë dhe grupe ruse, që lidhen me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimet e kryera në Ukrainë.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, dy grupe dhe 11 individë janë sanksionuar për rolin e tyre në transferimin dhe deportimin e detyruar të fëmijëve ukrainas “në kampet ku promovohet indoktrinomi”.

Këta fëmijë, sipas SHBA-së, janë dërguar në Rusi dhe në Krime, duke iu imponuar kurrikula indoktrinuese.

“Për më tepër, Departamenti i Shtetit po ndërmerr hapa për të vendosur kufizime vizash për tre zyrtarë të instaluar nga Rusia për përfshirjen e tyre në abuzim të të drejtave të njeriut, të të miturve civilë ukrainas, në lidhje me dëbimin, transferimin dhe mbylljen e detyruar të fëmijëve të Ukrainës”, thuhet në njoftimin amerikan.

SHBA-ja shtoi se me këto veprime po vazhdon të demonstrojë “përkushtimin për të promovuar përgjegjësi ndaj mizoritë dhe abuzimet e tjera, të kryera nga Rusia ndaj popullit ukrainas”.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore e kanë sanksionuar Rusinë me një sërë masash qëkur ka nisur agresioni në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.