Botë

Goditet rrjeti kriminal për abuzim seksual të fëmijëve në Australi

Policia në Australi ka akuzuar 19 burra për abuzim seksual të fëmijëve dhe ka arritur të shpëtojë 13 fëmijë, pas bashkëpunimit me FBI-në amerikane, bënë të ditur zyrtarët të martën.

Komandantja e Policisë Federale australiane, deklaroi se dy nga 19 burrat tashmë janë dënuar.

Të 19 burrat janë akuzuar për gjithsej 138 vepra në lidhje me shpërndarjen e videove dhe imazheve në një rrjet kriminal në internet.

Shumica ishin profesionistë të teknologjisë së informacionit.

Burrat, të moshës 32 deri në 81 vjeç, dyshohet se përdornin softuer për të ndarë në mënyrë anonime skedarë, për të biseduar dhe për t’u kyçur në faqet e internetit brenda rrjetit.

Zyrtarët policorë bënë të ditur se 13 fëmijë janë shpëtuar si rezultat i hetimit. Policia nuk ka dhënë detaje rreth gjendjes së tyre.

FBI-ja paralajmëroi autoritetet australiane për ekzistencën e rrjetit kriminal, vitin e kaluar.