Botë

Bideni siguroi fitore të madhe nga udhëtimi i tij në Evropë

Presidenti amerikan, Joe Biden, tashmë ka siguruar një rezultat të fuqishëm nga udhëtimi i tij në Evropë – një që do ta dobësojë pozicionin strategjik të Rusisë.

Heqja e bllokadës nga Turqia për hyrjen e Suedisë në NATO është një lëvizje e madhe dhe e rëndësishme në prag të samitit të NATO-s në Lituani. Ndryshimi nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, erdhi disa orë pasi ai paralajmëroi se Suedia do të ishte jashtë deri sa Turqia të merrte anëtarësimin e shtyrë për gjatë në Bashkimin Evropian, ka shkruar CNN.

Sapo Suedia t’i bashkohet NATO-s, do ta shtyjë edhe reputacionin e Bidenit si lider i SHBA-së që rigjallëroi dhe zgjeroi bllokun. Finlanda – e cila u bë pjesë pas pushtimit të Ukrainës – tashmë i ka shtuar qindra mijëra kilometra territor të NATO-s përgjatë kufirit me Rusinë. Sasia e armëve dhe municionit të Bidenit për Ukrainën e ka bërë atë presidentin më të rëndësishëm në çështjet transatlantike të paktën që nga George H.W. Bush. Trashëgimia e tij megjithatë do të varet nga rezultati i luftës në Ukrainë dhe kapacitetit të tij për ta shmangur një konflikt direkt me Rusinë.

Tërheqja e Turqisë po ashtu do ta ndryshojë disponimin në samitin e NATO-s. Lëvizja e Erdoganit ishte goditje e rëndë për presidentin rus, Vladimir Putin. Fillimisht do të rezultojë në zgjerim të territorit të NATO-s dhe do ta fuqizojë aleancën. Së dyti, vendimi i Erdoganit zhgënjen Rusinë në përpjekjet për të krijuar përçarje midis anëtarëve të NATO-s në mënyrë që ta dobësojë aleancën.

Ndryshimi i mendimit të Turqisë erdhi edhe pas një telefonate mes Bidenit dhe Erdoganit të dielën, ku presidenti amerikan duket se ia bëri të qartë pozicionin e tij. Bideni shprehu dëshirën që Suedia të futet në NATO “sa më shpejt të jetë e mundur”.