Botë

Shpeshtohen stuhitë në SHBA, së paku tre të vdekur në Texas

Stuhia e fuqishme ka krijuar disa tornado në Teksas, duke lënë të vdekur tre persona, teksa kanë shkaktuar dëme të rënda në infrastrukturën e qytetit Matador në shtetin amerikan.

Mediat amerikane kanë raportuar edhe për breshër të madh dhe erëra që kanë arritur shpejtësinë deri në 160 kilometra në orë.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka njoftuar se stuhia e fuqishme ka lëvizur drejt juglindjes.

Në qytetin Matador janë konfirmuar tre të vdekurit, teksa janë lënduar dhjetëra të tjerë.

Ky qytet është njëri nga më të dëmtuarit nga tornadot, ndërkaq, disa qytete të tjera në Teksas kanë raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike.

Autoritetet amerikane kanë njoftuar se të enjten janë konfirmuar tre tornado të fuqishëm, ndërkaq ai me forcën më të madhe goditi qytetin e Matadorit.

Në muajin prill, 26 persona vdiqën nga tornadot që goditën disa shtete amerikane.

Qindra shtëpi janë shkatërruar dhe mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike kur gjashtë shtete amerikane raportuan për tornadot e fuqishëm.

Në muajin prill u regjistruan më shumë se 60 raporte për tornado.