Botë

Partia australiane përjashton senatorin që e ngacmoi seksualisht kolegen

Partia opozitare e Australisë ka përjashtuar një senator të vetin pasi një senatore e akuzoi për sulm seksual në faktet më të reja për kulturën helmuese në Parlamentin australian.

Lideri i opozitës, Peter Dutton, ka përjashtuar senatorin David Van nga Partia Liberale kur senatorja e pavarur Lidia Thorpe e akuzoi publikisht për ngacmim dhe sulm seksual.

Van do të mbetet senator, por nuk përfaqëson Partinë Liberale.

Van ka mohuar akuzat, të cilat janë bërë nën privilegjin parlamentar me të cilin askush nuk mund të akuzohet për shpifje për çdo gjë që thuhet në Senat.

Senatorja ka thënë se Van e ka ngacmuar në kohën kur rrëfimet e punonjësve të Senatit për ngacmimet seksuale rrokën vëmendjen e mediave.

Qeveria e mëparshme ishte pajtuar me kërkesën e senatores që Van të ndërronte zyrën me qëllim që të reduktohej kontakti me të gjatë punës.

Thorpe ka thënë se senatori Van e ka sulmuar seksualisht në shkallët e Senatit, pjesë ku nuk ka kamera të sigurisë.