Botë

Tragjedi në Indi, të paktën 50 të vdekur e 300 të lënduar pas përplasjes së trenave

Së paku 50 persona kanë vdekur dhe 300 janë shtruar në spital në Indi, pasi një tren me pasagjerë doli nga shinat dhe u përplas me një tren mallrash në qarkun Balasore të Odishas, raporton Reuters.

Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe e gjithë ndihma e mundshme po ofrohet për të prekurit, ka thënë kryeministri indian Narendra Modi.

Treni Coromandel Express, i cili udhëton nga Kolkata në Chennai, pas përplasjes doli nga shinat dhe ra në shinat e kundërta, thuhet në raporte. Shumë njerëz janë ende të bllokuar.

“Po punojnë gati 50 autoambulanca, por duket se ka shumë të lënduar. Një numër i madh autobusësh janë duke u mobilizuar për të transferuar të plagosurit në spital”, shkroi në Twitter, sekretari kryesor i Odishas, Pradeep Jena.

Disa zyrtarë të lartë janë dërguar në vendngjarje për të koordinuar operacionet e shpëtimit. Ekipet e shpëtimit po përpiqeshin të zhbllokonin 200 persona, të cilët dyshohen se janë bllokuar në vagona.