Tara Reade, një ish-punonjëse e Senatit amerikan, e cila në vitin 2020 akuzoi Joe Bidenin për sulm seksual, ka thënë se kishte dezertuar në Rusi.
“Jam ende disi e hutuar, por ndihem shumë mirë”, ka thënë Reade për Sputnik, një media ruse që mbështet presidentin Vladimir Putin, ndërsa ishte ulur me Maria Butinan, një agjente ruse e dënuar në SHBA, por tani një anëtare e parlamentit në Rusi.
“Ndihem shumë e rrethuar nga mbrojtja dhe siguria”, ka thënë Reade.
Tani 59 vjeç, Reade ishte punonjëse e Bidenit kur ishte senator amerikan nga Delaware.
Në vitin 2020, ndërsa Biden kandidoi për nominimin presidencial demokrat, ajo pretendoi se në vitin 1993, në një korridor të Senatit, ai e shtyu atë pas një muri dhe e sulmoi. Bideni e mohoi vazhdimisht akuzën.
Në daljen e saj në shtyp në Rusi, Reade u përshkrua si një “shkrimtare dhe publiciste dhe ish-ndihmëse e Joe Biden”.
“Unë thjesht nuk doja të shkoja në shtëpi dhe të futesha në një kafaz ose të vritesha, që në thelb janë dy zgjedhjet e mia”, ka thënë ajo, shkruan The Guardian.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.