Botë

Politika e jashtme e Turqisë: Nga e kaluara, në epokën e mundshme pas Erdoganit

Politika e jashtme e pavarur e Erdoganit e vendosi Turqinë në hartë – politika e opozitës mund të jetë shumë më e heshtur

Në gusht të vitit 2019, pas inspektimit të kabinës së avionit luftarak të gjeneratës së pestë “Su-57”, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pyeti homologun e tij rus, Vladimir Putin, nëse ishte për shitje.

“Po, mund ta blesh”, iu përgjigj Putini me buzëqeshje, teksa e joshi Erdoganin me aeroplanët më të rinj të Rusisë në paradën ushtarake “MAKS-2019”, që u mbajt në periferi të Moskës.

Dyshja, e veshur me kostume me nuanca të errëta, vizitoi aeroplanë të tjerë luftarakë dhe më pas bëri pushim për të ngrënë akullore.

“A do ma paguash akulloren?”, e pyeti Erdogani Putinin, duke tundur kokën drejt akullores. Putini iu përgjigj shkurt: “Sigurisht, je mysafiri im”.

Ky muhabet ilustron ripërtëritjen e afërsisë së marrëdhënieve të sigurisë turko-ruse pas periudhës së vështirë, gjatë së cilës Turqia rrëzoi një aeroplan luftarak rus për të cilin tha se ishte larguar përtej kufirit nga Siria. Por gjithashtu shfaqi qasjen e Erdoganit të drejtuar nga personaliteti ndaj politikës së jashtme gjatë sundimit të tij dy dekadash.

Teksa Turqia ka kërkuar të pozicionohet si peshë e rëndë rajonale, stili i sigurt i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, edhe pse konfrontues, ka formësuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë.

Turqia sigurisht është bërë më me ndikim – jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Afrikë dhe Evropë, me rolin e saj të spikatur në ndërmjetësimin midis Rusisë dhe Ukrainës, si shembull i veçantë.

Por pasardhës i ri i mundshëm është në rritje, me liderin e guximshëm të opozitës Kemal Kilicdaroglu nga Partia Popullore Republikane, ose CHP që aktualisht mban avantazh në sondazhet e fundit.

Kilicdaroglu, politikan socialdemokrat i mbështetur gjithashtu nga pesë parti më të vogla në aleancën opozitare kundër Erdoganit, ka premtuar ta përmbysë trashëgiminë e presidentit.

Sinan Ogan nga aleanca ATA po konkurron gjithashtu për vendin e parë. Ish-kandidati, Muharrem Ince, nga Partia “Atdheu” u largua nga gara vetëm tri ditë para zgjedhjeve.

Pra, Turqia mund të hyjë në epokën post-Erdogan pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të së dielës dhe kjo mund të nënkuptojë ndryshime të politikës së jashtme.

Personaliteti dhe paparashikueshmëria

Nëse mbretërimi i Erdoganit kishte të bënte me pompozitetin dhe personalitetin, ai i opozitës – veçanërisht nën Kilicdaroglun – mund të jetë më i heshtur dhe i parashikueshëm.

“Stili i bërjes së politikës së jashtme do të ndryshojë dhe kjo është më e rëndësishme se ndryshimet e bazuara në çështje, sepse aktualisht politika e jashtme drejtohet tërësisht në mënyrë të personalizuar”, thotë Salim Cevik, studiues në Qendrën e Stiftung Wissenschaft und Politik për Studimet e Aplikuara të Turqisë në Berlin.

Nën Erdoganin, ministrat e Jashtëm dhe diplomatët janë përjashtuar kryesisht nga vendimmarrja, me marrëdhëniet personale midis presidentit dhe liderëve të huaj që luajnë rol shumë më të madh, shtoi Cevik.

“Turqia do të jetë shumë më e parashikueshme sepse do të jetë më e institucionalizuar”, thotë Cevik.

Sami Hamdi, drejtor menaxhues në International Interest, firmë e rrezikut politik që fokusohet në Lindjen e Mesme, thotë se politikat e Erdoganit synojnë gjithashtu rritjen e pushtetit të butë të Turqisë, veçanërisht në botën myslimane, vazhdimësi e trashëgimisë së Perandorisë Osmane, e cila me shekuj sundoi zona të gjera të Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut dhe Ballkanit.

“Natyra bindëse e Erdoganit ka acaruar fuqitë e mëdha, të cilat janë më shumë të mësuara me rolin historik të Turqisë si aktore mbështetëse”, thotë Hamdi.

“Në të njëjtën kohë, ndikimi i Turqisë në zgjerim të shpejtë është i rrënjosur në aftësinë e Erdoganit për të përfituar nga fuqia e butë islame nëpërmjet retorikës së tij ‘myslimane’, duke i mundësuar atij të përparojë me shpejtësi si politikisht ashtu edhe ekonomikisht në rajone të shumta,” shtoi ai.

Lindja e Mesme

Politika e jashtme e Erdoganit e ka parë liderin t’i përdorë aftësitë e tij ushtarake në të gjithë Lindjen e Mesme përmes ndërhyrjeve në Irak, Libi, Siri dhe madje edhe më gjerë, në Azerbajxhan.

Në Irak dhe Siri, veprimet ushtarake të Turqisë janë fokusuar në zhdukjen e kërcënimeve që ajo i shihte të lidhura me Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar luftë vdekjeprurëse kundër shtetit turk që ka vrarë dhjetëra mijëra që nga vitet 1980.

Si e tillë, Ankaraja ka kaluar dekada duke luftuar forcat kryesisht kurde në Irakun verior dhe kontrollon disa zona përgjatë kufijve të saj me Sirinë, në mënyrë që të shtypë Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), forcat e mbështetura nga SHBA-ja që Ankaraja i konsideron si degë të PKK-së.

Në Libi, Turqia ndërhyri për të mbështetur Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli kundër forcave me bazë lindore dhe në vitin 2020, mbështeti Azerbajxhanin në luftën me Armeninë për rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut.

Të paktën në letër, CHP ka thënë se do të ndryshojë kursin dhe do të marrë rol jo-ndërhyrës, sipas platformës së partisë.

“Ne do të respektojmë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve në Lindjen e Mesme, nuk do të ndërhyjmë në punët e tyre të brendshme dhe nuk do të ‘mbajmë anë’ në problemet mes tyre, por do të ‘lehtësojmë zgjidhjet’”, thuhet në platformë.

Sinan Ulgen, bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Europe në Bruksel, thotë se mosndërhyrja e Turqisë në punët e brendshme të vendeve të tjera kishte qenë parim para Erdoganit, por tërheqja e opozitës nga Siria dhe Libia do të kushtëzohej ende me interesat e Ankarasë që mbron në këto dy shtete.

“Kjo do të kushtëzohej nga një marrëveshje e përgjithshme me [Damaskun dhe Tripolin] që do të mbronte interesat e saja”, thotë Ulgen.

Cevik ishte më pak i prirë të pranonte që tërheqja nga të dy vendet do të ndodhte kaq shpejt nën qeverinë opozitare, por Turqia do të shkojë drejt një epoke më pak ushtarakisht-agresive, për shkak të kufizimeve ekonomike.

“Ekonomia turke është e keqe dhe u bë edhe më e keqe pas tërmetit, kështu që burimet janë të kufizuara”, thotë Cevik.

Ai vuri në dukje përgjigjet e fundit më diplomatike dhe të heshtura të Turqisë ndaj çështjeve që në të kaluarën do ta kishin provokuar Erdoganin në masë më të madhe, si sulmet izraelite në Gaza, ose shtypja e opozitës në Tunizi.

Erdogani ka nisur tashmë drejtimin e ri duke normalizuar lidhjet me shtetet arabe, proces që ka të ngjarë të vazhdojë edhe nën opozitën.

Lidhjet e Turqisë me Bahreinin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u përkeqësuan pasi Ankaraja mbështeti Vëllazërinë Myslimane në Egjipt dhe gjetkë gjatë kryengritjeve arabe të vitit 2011.

Ndërkohë, lidhjet më të ngushta të Ankarasë me rivalin e Riadit, Teheranin, dhe vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Stamboll i përkeqësuan këto përçarje.

“Motivimi është që të normalizohen lidhjet që janë njollosur gjatë dekadës së fundit si rezultat i politikave...konfrontuese ose ndërhyrëse të Turqisë në rajon”, thotë Cevik.

Por Turqia mund të shohë rënie të popullaritetit në rajon pasi bën një hap prapa nga çështjet e Lindjes së Mesme, thotë studiuesi.

Kjo do të jetë veçanërisht e vërtetë nën Kilicdaroglun, shton Hamdi, pasi shihet si kandidati i përkushtuar për të “shkurorëzuar” Turqinë nga bota myslimane, ndërsa Erdogani është parë si kandidat për rikthimin e Turqisë në botën myslimane dhe ripërcaktimin e identitetit turk me lidhje islame.

“Imazhi i Turqisë në rajon do të ndryshojë në mënyrë dramatike nëse Kilicdaroglu fiton”, thotë Hamdi.

Lidhjet me Perëndimin

Ndoshta ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë në politikën e jashtme me ndryshimin e qeverisë është në marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin.

“Sipas platformës politike të opozitës, politika e re e jashtme turke do të synojë të rikthejë vokacionin perëndimor të Turqisë”, thotë Ulgen.

Një qeveri e udhëhequr nga opozita do të kërkonte të përmirësonte marrëdhëniet e Turqisë me partnerët e saj tradicionalë në Perëndim, përkatësisht Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, por “rezultati i kësaj do të varet gjithashtu nga mënyra se si Washingtoni dhe Brukseli reagojnë ndaj perspektivës së ndryshimit politik në Turqia”, shton ai.

Perëndimi mund ta mirëpresë Kilicdarolgun jo për shkak të interesave të veta, por për shkak se perceptohet si dikush më pak i vendosur në imponimin e interesave turke, thotë Hamdi.

“Pjesa më e madhe e përdorimit të forcës nga Erdogani ka qenë rezultat i frikës së vërtetë në Ankara se diçka e keqe do të ndodhë me interesat turke dhe se aleatët e saj nuk i kanë marrë seriozisht këtë frikë,” shpjegoi ai.

Sipas Cevik, pikëpamja e përgjithshme pro-perëndimore në politikën e jashtme ka qenë e paracaktuar për Turqinë edhe në dekadën e parë partisë në pushtet, pas vitit 2002.

Tensionet kanë ekzistuar gjithmonë, por edhe kur Turqia ishte nën embargon e rëndë amerikane të armëve në vitet 1970, “këto tensione nuk përbënin dyshimin e anëtarësimit të Turqisë në sistemin më të gjerë gjeopolitik perëndimor, thotë ai.

“Sot, kjo është vënë në pikëpyetje”, theksoi Cevik.

Të tjerë kanë argumentuar se është Perëndimi që e ka larguar Turqinë. Ndërsa shumica e partive në Turqi preferojnë lidhje më të ngushta dhe integrim me Evropën, Evropa nuk e konsideron Turqinë pjesë të grupit të saj dhe Franca, veçanërisht, ka qenë e zëshme për këtë, thotë Hamdi.

Pozicion i ri ndërkombëtar?

Dy dekada të sundimit të modeluar nga Erdogani e kanë ndryshuar Turqinë në mënyra të shumta dhe vendin e saj në botë, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht, në varësi të kujt pyesni.

Një fitore e tretë presidenciale për Erdoganin do të ishte justifikim i politikave të tij që atëherë, thotë Ulgen, pavarësisht nga popullariteti i tij në rënie.

Por opozita – ndërkohë që vazhdon ende elementet e politikave të jashtme të Erdoganit – do të përpiqet të ripozicionojë Turqinë ndërkombëtarisht duke balancuar marrëdhëniet e saj në skenën botërore, thonë analistët.

“Turqia do të vazhdojë të ketë marrëdhënie solide me fqinjët e saj dhe fuqitë joperëndimore, Rusinë, Kinën”, thotë Ulgen.

“Megjithatë, kjo nuk do të ishte në dëm të shtrirjes gjeostrategjike të Turqisë si një partner i komunitetit perëndimor të kombeve,” shtoi ai.