Të mbijetuarit e tërmetit i kërkojnë të afërmit e zhdukur

Kanë kaluar shtatë javë qëkur se dy tërmete të mëdha goditën Turqinë dhe Sirinë veriore, dhe Orhan Kosker nuk ka pushuar së kërkuari nipat e tij.
Ismeti dhe Siraçi, 13 dhe 9 vjeç, ishin duke fjetur në shtëpinë e tyre në qytetin juglindor turk të Gaziantep.
Nëna, babai dhe motra vdiqën të gjithë në tërmet. Trupat e tyre u gjetën nëntë ditë më vonë dhe u nxorën nga rrënojat.
Por nga dy djemtë nuk kishte asnjë gjurmë.
Gaziantepi ishte një nga 11 qytetet turke që pësuan një shkatërrim të gjerë më 6 shkurt.

Vetëm në Turqi kanë vdekur 50.000 njerëz. Pothuajse 6.000 jetë të tjera humbën në zonat veriore dhe perëndimore të Sirisë.
Për Turqinë, kostoja financiare vlerësohet në më shumë se 100 miliardë dollarë.
Ndërsa po bëhen përpjekje të mëdha për t'u dhënë viktimave të tërmetit një formë normaliteti, ka ende qindra familje që kërkojnë të dashurit e tyre të zhdukur, duke shpresuar t'i gjejnë të vdekur ose të gjallë.
Dëshmitarët okularë i thanë Orhanit se ndërtesa e nipave të tij u shemb pas një ose dy minutash dhe se shumë njerëz kishin arritur të shpëtonin. Ai ishte i bindur se edhe djemtë mund të kishin mbijetuar.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Familjes dhe Çështjeve Sociale, që nga tërmetet, rreth 2000 fëmijë të pashoqëruar janë shpëtuar nga rrënojat dhe janë regjistruar pranë autoriteteve.
Pothuajse 200 prej tyre ende nuk janë identifikuar dhe ribashkuar me të afërmit e tyre.
Ministria e Shëndetësisë e Turqisë ka ngritur një linjë ndihme për viktimat e tërmetit dhe të afërmit e të zhdukurve.
Orhani tha se ai thirri linjën e ndihmës çdo ditë për të kontrolluar listën e fëmijëve të identifikuar së fundmi në rast se në të ndodheshin nipat e tij. Familja e tij ka dorëzuar edhe mostrat e ADN-së.
"Ne duam t'i gjejmë fëmijët tanë edhe nëse ata kanë vdekur. Edhe nëse i gjejmë vetëm eshtrat e tyre, ne do të vazhdojmë të kërkojmë. Zoti na ndihmoftë", tha ai.
Nuk ka një shifër zyrtare për numrin e personave të zhdukur në të gjithë Turqinë pas tërmeteve. Por besohet se të paktën 1400 trupa ende nuk janë identifikuar.
Për Abdulkudus Kazanin, kërkimi për motrën e saj Hicran ka qenë i jashtëzakonshëm.
Hicran Karadag, 44 vjeçe, u shpëtua nga rrënojat e banesës së saj pak orë pas tërmetit. Ajo u dërgua në spital me ambulancë, por për muajin e ardhshëm familja e saj nuk ishte në gjendje të zbulonte nëse ajo ishte gjallë apo e vdekur.

Ata e kërkuan atë në dhjetëra qytete.
Më në fund ata morën një informacion se pothuajse 1.000 viktima të tërmeteve ishin varrosur në një varrezë në Narlica, pak jashtë qytetit të Antakias.
Abdulkudus udhëtoi për në vendin e sapondërtuar, një varr masiv i viktimave të zhdukura.
Para se trupat e paidentifikuar të varroseshin në varreza, autoritetet turke kishin bërë fotografi, kishin mbledhur mostra të ADN-së dhe kishin marrë gjurmët e gishtërinjve. Çdo viktimë e paidentifikuar kishte një numër në varrin e tyre.
Abdulkudus shikoi rreth 1.500 fotografi në kërkim të motrës. Ajo madje hapi çantat e trupit dhe kontrollonte kufomat për të parë nëse Hicrani ishte aty.
Me lot lehtësimi po aq dhe pikëllim ajo mësoi se një mostër e ADN-së e marrë në vend përputhej me trupin që ishte varrosur në varreza.
Certifikata e vdekjes tregonte se Hicran kishte humbur jetën si pasojë e një arresti kardiovaskular për shkak të traumës së trupit dhe kokës. Nuk ishte e qartë nëse ajo kishte marrë apo jo ndonjë trajtim në spital.
Megjithatë, certifikata përmendte se trupi i saj ishte lënë jashtë në një parking në spitalin fushor për dy ditë. Më pas ajo u varros pa identifikimin e duhur.
“Është shumë e vështirë të kërkosh të afërmin tënd të zhdukur”, tha motra e saj.
“Nuk e di nëse janë të vdekur apo të gjallë, kështu që gjithmonë ke shpresë.
"Edhe kur zyrtarët më thanë se mostrat e ADN-së përputheshin, unë ende shpresoja se mund të kishin gabuar, se motra ime mund të ishte gjallë. Tani jam e lehtësuar që ajo ka një varr të sajin”.
Përktheu: Rexhep Maloku
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.