Botë

Gjashtë gra të zhdukura në Meksikë gjenden të vrara e të djegura

policia

Prokurorët në Meksikë kanë thënë se gjashtë gra që u zhdukën më 7 mars, janë vranë dhe trupat e tyre janë djegur nga një bandë burrash të armatosur.

Është një nga vrasjet më të mëdha kolektive të një grupi grash në vitet e fundit në Meksikë.

Gratë u zhdukën në fillim të këtij muaji në një rrugë pranë qytetit Celaya. Të afërmit kishin shpresuar se mund të gjendeshin të gjallë.

Por prokurori i shtetit Carlos Zamarripa tha se ekspertët kishin gjetur mbetje skeletore "pothuajse plotësisht të djegura" në bastisjet në disa prona. Sasia e copave të kockave të gjetura, tha ai, ishin "qindra" – që sugjeron që trupat e grave u dogjën dhe kockat ishin grimcuar dhe shpërndarë, një taktikë e zakonshme e kartelit të drogës.

Ai tha se motivi i vrasjes ishte ende nën hetim, raportoi AP.

Zamarripa ka shtuar se 14 burra janë arrestuar në lidhje me vrasjet.