Grekët kanë dalë në rrugë për javën e dytë rresht për të protestuar pas vdekjes së 57 personave në një prej katastrofave më të rënda në historinë e hekurudhave të Greqisë.
Ky aksident ka shpërfaqur problemet e shumta me linjat hekurudhore të shtetit helen.
Sindikatat e punëtorëve dhe organizatat studentore kanë organizuar protestat në shumicën e qyteteve greke, ndërkaq, grevat kanë pamundësuar lundrimet nëpër ishujt grek dhe kanë bllokuar shërbimet e transportit publik në Athinë.
Treni i udhëtarëve u përplas me trenin e mallrave më 28 shkurt afër Selanikut dhe të dy trenat po udhëtonin në shinat e njëjtë.
Një person është akuzuar për neglizhencë për shkak të vendosjes së trenave në shinat e njëjtë.
Mirëpo zbulimet e problemeve të sigurisë në linjën hekurudhore më të ngarkuar të Greqisë e kanë vënë qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në mbrojtje.
Ai është zotuar se qeveria do të kryejë një hetim të plotë në lidhje me aksidentin hekurudhor.