Botë

Aksidenti tragjik në Greqi, arrestohet përgjegjësi i stacionit hekurudhor në Larissa

Përgjegjësi i stacionit hekurudhor në Larissa është arrestuar dhe akuzohet për vrasje në neglizhencë, pas aksidentit tragjik mes dy trenave të martën mbrëma ku humbën jetën të paktën 36 persona.

Policia ka thënë se 59-vjeçari po ashtu është akuzuar për lëndime të rënda trupore në neglizhencë, raporton BBC.

Përgjegjësi i stacionit, që ka për detyrë të sinjalizojë, mohon se ka bërë ndonjë gjë gabim dhe ka thënë se aksidenti mund të ketë ardhur shkaku i ndonjë dështim të mundshëm teknik.

Hetuesit po mundohen të gjejnë arsyet pse dy trena ishin në shinat e njëjta kur u përplasën në mënyrë ballore në Larissa.

Në aksidentin në orët e vonshme të së martës mes një treni të pasagjerëve dhe një të mallrave, kanë humbur jetën të paktën 36 persona. Shifra e të vdekurve, sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Greqisë, pritet të rriten.

Gazeta greke “Proto Thema” raporton se të paktën 72 persona janë hospitalizuar.

Zëdhënësi i shërbimit të zjarrfikësve ka thënë se është “shumë e vështirë” edhe identifikimi i viktimave shkaku i temperaturave të larta që ishin ku shpërtheu zjarri.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsokakis, ka thënë se do të gjenden arsyet e aksidentit dhe do të bëhet çdo gjë e mundur për të mos ndodhë më.

“Është detyrë e jona të trajtojmë të lënduarit dhe të jemi me ta. Një gjë që mund të garantoj: ne do të gjejmë arsyet e kësaj tragjedie dhe do të bëjmë çdo gjë që kemi në fuqinë tonë për t’u siguruar që të mos ndodhë më”, ka shkruar Mitsokakis në Twitter.