Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë se do të jetë e nevojshme të zhvillohen më shumë bisedime mes grupeve parlamentare përpara se deputetët të votojnë për ratifikimin e kërkesës së Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO.
Orban ka deklaruar se disa deputetë kanë probleme me Finlandën dhe Suedinë, sepse ata “përhapin gënjeshtra” për gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Hungari dhe se disa përfaqësues hungarezë i kanë inat.
Në një deklaratë për radion publike, Orban ka thënë se u kishte kërkuar ligjvënësve nga partia e tij Fidesz që të mbështesin kërkesën e dy vendeve nordike, por se ka ligjvënës që nuk janë aq entuziastë për zgjerimin e aleancës ushtarake dhe po kërkojnë diskutime shtesë.
Parlamentet e të 30 anëtarëve të NATO-s duhet të ratifikojnë çdo anëtarësim të ri në aleancë. Sipas njoftimeve, përfaqësuesit hungarezë pritet të votojnë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë më 6 mars.
Orban ka thënë se duhet ta bëjë të qartë se Hungaria mbështet Finlandën dhe Suedinë, por duhet të dëgjojë edhe kundërshtimet e Turqisë për hyrjen e Suedisë.
“Sa i përket Turqisë, ajo është gjithashtu aleati ynë dhe prandaj duhet të dëgjojmë se çfarë ka për të thënë”, ka thënë Orban.
Ai mendon se duhet gjetur një zgjidhje për kundërshtimet turke, sepse në të kundërtën e gjithë zgjerimi mund të dështojë.
Hungaria e arsyeton vonesën e ratifikimit edhe me mosmarrëveshjen me Brukselin për fondet evropiane.
Vetëm Hungaria dhe Turqia nuk kanë ratifikuar në parlamentet e tyre anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.