Një prind, i cili u fotografua duke mbajtur dorën e vajzës së tij 15-vjeçare nën rrënojat e tërmetit në Kahramanmarash të Turqisë, ka thënë se ajo nuk ka pasur asnjë mundësi për të shpëtuar.
Duke folur për CNN-in turk të shtunën, Mesut Hancer, ka njoftuar se ai humbi edhe anëtarë të tjerë të familjes nga ky tërmet, duke përfshirë nënën e tij, dy vëllezërit më të mëdhenj dhe kunatën.
Hancer tha se ai ishte në gjendje të shkonte te vajza e tij tre ditë pas tërmetit.
Sipas tij, 15-vjeçarja kishte shkuar për të vizituar gjyshen e saj në Kahramanmarash në kohën kur ndodhi tërmeti i fuqishëm.
“Ishte shumë keq. Unë shkova atje sapo dëgjova. U përpoqa i vetëm, me duart e mia të tërhiqja vajzën time, por fatkeqësisht nuk munda ta shpëtoja”, tha Hancer.
Ai shtoi se trupi i vajzës së tij nga beli e lartë kishte qenë jashtë rrënojave, por pjesa tjetër ishte nën rrënoja. Autoritetet nuk ishin në gjendje të sillnin një ashensor ndërtimi për të ndihmuar në nxjerrjen e trupit të saj dhe një burrë e ndihmoi atë të nxirrte trupin e vajzës së tij.
Hancer tha gjithashtu se aktualisht është pa shtëpi për shkak të dëmtimit që ka ndodhur në shtëpinë e tij.