Franca është përballur me valën e katër të protestave kundër planeve për reformën pensionale nga presidenti Emmanuel Macron. Mirëpo të shtunën, sindikatat e punëtorëve nuk kanë mbajtur grevë, duke lejuar funksionimin e trenave dhe metrove në Paris.
Mijëra njerëz morën pjesë në këto protesta që u mbajtën nëpër qytetet e mëdha të Francës. Në fillim të javës, ligjvënësit francezë kanë nisur debatin për të ngritur moshën e pensionimit nga 62 në 64-vjeç. Është një prej planeve kryesore të presidentit Macron për mandatin e tij të dytë. Në protestat e fundit, më shumë se 750 mijë njerëz marshuan nëpër qytetet kryesore të Francës.
Protestat janë test vendimtar si për Macronin ashtu edhe për kundërshtarët e tij. Qeveria ka insistuar se do të vazhdojë me planin e Macronit me qëllim që të reformojë sistemin pensional.
Mirëpo, pakënaqësia e madhe popullore mund t’i forcojë përpjekjet e sindikatave të punëtorëve dhe të ligjvënësve të krahut të majtë që ta bllokojnë planin e Macronit për reformat pensionale.