Botë

Të prekurit nga tërmeti në Turqi thonë se shteti nuk po u del në ndihmë

Kanalet e lajmeve të Turqisë të cilat janë të afërta me qeverinë, janë fokusuar në përpjekjet për shpëtim të banorëve dhe ekipeve që po përballen me të ftohtin dhe shiun, por përdoruesit në rrjetet sociale në provincat e goditura nga tërmetet po thonë se ka pasur “pamjaftueshmëri” serioze në reagimin e qeverisë.

Shumë kanë postuar në Twitter thirrje për ndihmë duke thënë se ata vetë ose të dashurit e tyre janë bllokuar nën rrënoja dhe nuk iu është ofruar ndihmë që kur ka ndodhur tërmeti, raportoi BBC. 

“As kërkim dhe as ekip shpëtimi e as ndonjë ‘zyrtar’ nuk erdhi në fshatin tonë në Pazarcik”, ka shkruar dikush duke iu referuar epiqendrës së tërmetit të parë.

Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë vënë theksin te situata në provincën Hatay, në kufi me Sirinë, duke thënë se është neglizhuar.

Një video në veçanti u bë virale. Tregon një djalë që pret ta ndihmojnë babanë e tij nga një ndërtesë e rrënuar në Gaziantep, ndërsa qan dhe pyet partinë në pushtet “pse shteti nuk po i ndihmon”.

Hashtagu “#HatayYardimBekliyor” (Hatay po pret për ndihmë) është ngjitur në top temat më të përdorura në Twitter të martën, me shumë qytetarë që thonë se as ata e as familjarë të tyre nuk kanë pranuar ndihmë.