Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjurmët e tërmetit në Turqi që edhe sot godasin familjet e prekura

Një vit pasi tërmeti i fuqishëm në jug të Turqisë shkatërroi mijëra shtëpi, Fatima Kirici jeton në një tendë me burrin dhe dy fëmijët e saj, e frikësuar për t’u kthyer në ndërtesën shumëkatëshe prej nga u larguan, e cila disi qëndron ende.

“Shtëpia jonë është buzë një gremine,” ka thënë Kirici, 50 vjeçe, vajza dhe dhëndri i së cilës vdiqën kur shtëpia e tyre u shemb nga tërmeti. “Nuk dua të rrezikoj edhe fëmijët e tjerë,” ka shtuar ajo.

Ndërsa Turqia shënon përvjetorin e parë të tërmetit 7.8 ballësh që e goditi më 6 shkurt të vitit të kaluar, njerëzit që jetojnë në rajonet më të goditura janë duke luftuar për të rindërtuar jetën e tyre dhe duke u përpjekur të mbyllin rastet e të dashurve të zhdukur. Papunësia është në masë të madhe dhe afërsisht një e katërta e familjeve në rajonin e prekur mbështetet në bamirësi, sipas Kryqit të Kuq.

Përpjekje masive për të rindërtuar janë duke u zhvilluar në zonat e prekura nga tërmeti, i cili vrau 50,000 njerëz në Turqi dhe 6,000 njerëz në Siri. Qeveria turke po nxiton të ndërtojë më shumë se 300,000 shtëpi për familjet e zhvendosura, shumica e të cilave jetojnë përkohësisht në kontejnerë. Zyrtarët qeveritarë thonë se këto shtëpi që po ndërtohen janë të projektuara për t'i bërë ballë tërmeteve të forta.

Për shkak se shtëpia e Kiricit ishte “pak e dëmtuar”, sipas qeverisë, familja nuk kualifikohet për banesat e subvencionuara në ndërtim e as për kontejnerë. Kështu ata po e kalojnë edhe një dimër, të ekspozuar ndaj elementeve natyrore; shiu lag rregullisht tokën nën tendën e tyre dhe dyshekët ku flenë dhe shpesh herë pasgoditjet e tërmetit që tronditin Turqinë Jugore, tronditin edhe shëndetin mendor të familjes.

Edhe Turqia ia pa sherrin amnistisë së ndërtuesve Botë Turqia ia pa sherrin amnistisë së ndërtuesve

“Si familje, shëndeti ynë mendor është përkeqësuar dukshëm,” ka thënë Kirici, tenda e së cilës është ngritur buzë një rruge, së bashku me shumë familje të tjera që po ballafaqohen me rrethana të ngjashme. Kirici nuk është e sigurt se sa gjatë do jetojë familja e saj në tendë, por ajo mban shpresat se qeveria do t’ju vijë në ndihmë.

Për të kompensuar vdekjen e vajzës së Kiricit, qeveria ia dha asaj 100,000 lira turke (rreth 3050€), të cilat djali i saj i përdori për të blerë një kontejner për gruan dhe tre fëmijët e tij të vegjël.

Frika e Kiricit për t’u kthyer në shtëpi nuk është e paarsyeshme. Menjëherë pas tërmetit, ekspertët kanë thënë se niveli i lartë i vdekjeve dhe shkatërrimit ndodhi pjesërisht nga ndërtimet e dobëta.

Image

Të njëjtët ekspertë paralajmërojnë se nxitimi për të rindërtuar pa përditësuar rregullat e ndërtimit, mund të përsërisë gabimet e të kaluarës.

“Kemi paralajmëruar që rregullat duhet të ndryshohen, por ata besojnë se kjo do të marrë kohë, kështu që po ndërtojnë ndërtesat e banimit pasi përmirësuan terrenin pak dhe pasi morën disa masa paraprake”, ka thënë Mustafa Ozcelik, shef i një grupi tregtar për inxhinierë dhe arkitektë në provincën Hatay, ku ndodhet Antakia, qytet i prekur nga tërmeti. Në tetor, grupi i Ozcelik kritikoi përpjekjet e supozuara të qeverisë për të kthyer familjet në ndërtesat e përcaktuara si të padëmtuara ose pak të dëmtuara, duke argumentuar se nuk ishin të sigurta për të jetuar në to.

Sevda Kose, 22 vjeçe, është në mesin e dhjetëra njerëzve që ende po kërkojnë për gjurmë të anëtarëve të familjes, të cilët nuk u gjetën kurrë nën rrënoja. Vëllai, kunata dhe nipi i saj jetonin në katin e shtatë të një ndërtese 8-katëshe që u përfshi nga flakët teksa u rrëzua.

Në tërmet vdiqën shumica e 100 banorëve të ndërtesës, ndërsa 25 – përfshirë edhe të afërmit e saj – janë të listuar si të zhdukur.

Familja Kose ka kontrolluar morgë, varreza dhe spitale në disa provinca. Ata dorëzuan mostra të ADN-së, por asnjëra nuk u përputh me viktimat e paidentifikuara.

Edhe Lufta me kohën për t’i shpëtuar të mbijetuarit e tërmetit Botë Lufta me kohën për t’i shpëtuar të mbijetuarit e tërmetit

Ajo nuk i ka humbur shpresat për t'i gjetur familjarët të gjallë. “Ne po mendojmë të gjitha mundësitë,” ka thënë Sevda.

Image

Rrugët që qojnë në Antakia, janë të mbushur me rreshta me kontejnerë – vetëm një nga shumë qytete me kontejnerë që strehon rreth 430,000 njerëz në 11 provinca të goditura, sipas Kryqit të Kuq.

Qendra e qytetit Antakia është pothuajse e shkretë. Një ndërtesë e vjetër parlamenti, një kishë ortodokse dhe disa kisha e xhami janë në pritje të rindërtimit. Shumë prej ndërtesave të shembura ose të dëmtuara rëndë janë shembur, edhe pse disa ndërtesa të braktisura me mure të plasaritura ose të shembura kanë mbetur. Pak ndërtesa qëndrojnë të padëmtuara.

Disa biznese janë rihapur, por edhe ato po ballafaqohen me vështirësi. Orhan Ozturk rihapi dyqanin e tij të vogël të arit dy javë më parë, pas pastrimit të rrënojave, por nuk ka pasur shumë klientë.

Kryqi i Kuq thotë se qindra-mijëra njerëz në zonën e tërmetit që humbën burimin e tyre të të ardhurave, ende janë duke u varur në ndihmat.

Cevdet Donmez, 30 vjeç, pati fatin të merrte një kontejner nga qeveria, por nuk e ka më punën e tij si instalues dritaresh. Për të mbështetur nënën, gruan dhe tre fëmijët e tij, Donmez mori si detyrë heqjen e mobilieve nga ndërtesat e dëmtuara të destinuara për t’u prishur.

“Jemi në situatë të keqe”, tha ai. “Humbëm gjithçka papritur. Si do të jemi në gjendje ta tejkalojmë këtë situatë? Si mund të sigurojmë një të ardhme të mirë për fëmijët? Unë nuk e di”.

Emre Ceylan humbi nëntë anëtarë të familjes në tërmet dhe floktorja e tij u shkatërrua. Kohëve të fundit ai bleu një kontejner dhe e shndërroi atë në floktore, të cilin mezi pret ta hapë që të mund të instalojë energji elektrike.

Edhe Banorët e Stambollit kalojnë natën jashtë nga frika e tërmetit Botë Banorët e Stambollit kalojnë natën jashtë nga frika e tërmetit

"Nuk e kuptuam se sa e mirë ishte jeta jonë, derisa tërmeti na mori gjithçka," tha ai.

Përgatiti: Latra Gashi