Botë

Babai shpallet fajtor për vrasjen e vajzës pasi e la të arrinte në obezitet

Një burrë është shpallur fajtor për vrasjen e vajzës së tij me aftësi të kufizuara, duke e lejuar atë të bëhet obeze gjatë izolimit të COVID-19 në atë pikë sa vdiq.

Ai ishte dënuar nga një juri më parë për neglizhencë që çoi në vdekjen e vajzës 16-vjeçare.

Nëna e saj po ashtu u shpall fajtore për të njëjtën akuzë në dhjetor, raportoi The Guardian. Çifti kishte gjashtë fëmijë, dhe jetonin në Uells.

Besohet se kjo është ndjekja e parë penale e këtij lloji në Britani ku prindërit akuzohen për vrasjen e fëmijës së tyre duke mos ia kontrolluar dietën.

Në kohën kur vajza vdiq, ajo “po jetonte në kushte të papërshtatshme për çdo kafshë e lëre më për një 16-vjeçare të cenueshme e cila varej krejtësisht nga të tjerët për kujdesin e saj”, u tha në gjyq.

Burri i pati thënë policisë kur ishte arrestuar se vajza nuk kishte lëvizur nga krevati që kur izolimi për shkak të pandemisë pati filluar. Ai pati thënë se kishte hyrë në dhomën e vajzës një natë para vdekjes dhe se nuk kishte vërejtur ndonjë gjë të pazakontë, si erë të keqe.

Ndërsa, juria dëgjoi nga shërbimi emergjent që shkoi atje pas vdekjes se nga dhoma vinte erë. Ata zbuluan krimba nën trupin e saj kur u gjet në “rrethana vërtet të tmerrshme”, me peshë 146kg. Thonjtë e këmbëve nuk i ishin prerë për të paktën gjashtë muajt e fundit dhe ishte për 20kg më e rëndë për karrigen e saj me rrota.