Botë

Tanket perëndimore pritet ta ndryshojnë rrjedhën e luftës në Ukrainë

Gjermania tha se do të dërgonte tanke “Leopard 2”, derisa SHBA-ja do të dërgojë tanke “Abrams”. Edhe Britania e Madhe e Polonia kanë dhënë premtime konkrete, ndërkaq shtetet e tjera pritet të ndjekin këtë hap. Disa komentues e kanë përshkruar lëvizjen si një “ndryshues të lojës” në Ukrainë.

Në luftën moderne, tanket kanë qenë element kyç për operacionet sulmuese - për të goditur linjat e armikut dhe për të rikthyer territorin.

Por historia tregon se vetëm tanket nuk i fitojnë betejat.

Trajnimi i kërkuar për armët do të marrë gjithashtu kohë - javë nëse jo edhe muaj. Dhe ende nuk është e qartë se kur do të mbërrijë krejt arsenali i rëndë luftarak në Ukrainë.

SHBA-ja ka treguar se tanket “Abrams” mund të mos jenë gati për muaj të tërë. Ukraina po pret gjithashtu që Perëndimi t'i përgjigjet kërkesës së përsëritur për avionë luftarakë modernë. Një ushtri që sulmon në tokë do të ketë nevojë për mbrojtje nga ajri.

Zyrtarët perëndimorë kishin shpresuar se Ukraina mund të jetë në gjendje të ndërmarrë ofensivë në këtë pranverë. Dhe tani besojnë se ka një dritare mundësie, ndërkohë që Rusia po përpiqet të rekrutojë dhe t’i rifuqizojë forcat e saj të goditura. Ushtria ruse po përballet edhe me krizë logjistike dhe armatimi.

Ukraina ka arritur t'u tregojë skeptikëve se kanë gabuar në të kaluarën - por do të ketë ende nevojë për më shumë mbështetje perëndimore nëse dëshiron të arrijë qëllimin e saj për t’i dëbuar forcat ruse të presidentit Vladimir Putin.