Botë

Tre të vdekur dhe mbi 800 të lënduar nga tërmeti në Iran

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe mbi 800 të tjerë kanë mbetur të lënduar nga një tërmet që ka goditur të shtunën mbrëma Iranin, raportoi të dielën CNN-i.

Sipas agjencive iraniane të lajmeve, ky tërmet kishte magnitudë 5.9, ndërsa epiqendra e tij ishte në qytetin Khoy.

Agjencia e lajmeve “Tasmin” ka raportuar se bilanci është tre të vdekur dhe 816 të plagosur, ndërsa agjencia e lajmeve “Mehr” ka njoftuar se 70 fshatra janë dëmtuar, ndërsa operacionet e ndihmës dhe vlerësimit të dëmeve janë duke u zhvilluar.

Edhe Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) e regjistroi tërmetin me magnitudë 5.9 ballë.

“Tërmeti ishte aq i fortë sa u ndje në shumë rajone të provincës së Azerbajxhanit Perëndimor, duke shkaktuar shqetësim te banorët. Ai u ndje gjithashtu në disa qytete, duke përfshirë kryeqytetin e provincës Tabriz në provincën fqinje të Azerbajxhanit Lindor”, raportoi IRNA.