Numri i nxënësve që braktisin shkollën fillore pa mësuar notin është dyfishuar në pesë vjetët e fundit, njoftoi të martën Shoqata Gjermane e Mbrojtësve të Shpëtimit (DLRG). Kjo po shqetëson autoritetet.
"Në vitin 2022, rreth 20 për qind e fëmijëve nga mosha gjashtë deri në dhjetë vjeç nuk dinin të notonin. Në vitin 2017, kjo përqindje ishte sa gjysma", ka thënë DLRG, duke iu referuar një sondazhi të kryer nga Instituti Forsa në emër të tyre.
Sipas të njëjtave të dhëna, 23 për qind e fëmijëve janë, sipas prindërve të tyre, të pasigurt për të qenë në det dhe 57 për qind ndihen të sigurt.
DLRG beson, megjithatë, se prindërit e mbivlerësojnë konfirmimin e shkollës se fëmija i tyre mund të notojë, sepse certifikata nuk është një diplomë noti që konfirmon sigurinë në ujë.
Arsyeja kryesore e rritjes së menjëhershme të numrit të fëmijëve që braktisin shkollën fillore (nga klasa e parë deri në të katërtën) pa certifikatë për pjesëmarrje të suksesshme në një kurs noti është mungesa e orëve të edukimit fizik në pishina gjatë viteve të pandemisë.
Sondazhi tregoi gjithashtu se përqindja e njerëzve që nuk dinë të notojnë është shumë më e lartë në familjet me të ardhura më të ulëta, si dhe në familjet migrante.
Në disa familje që vijnë nga një mjedis tjetër kulturor, prindërit nuk i lejojnë fëmijët e gjinisë femërore të marrin pjesë në orët e edukimit fizik në pishinë, gjë që kontribuon në rritjen e numrit të të rriturve që nuk dinë të notojnë.
“Ashtu si vajzat dhe djemtë duhet të mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë, ata gjithashtu duhet të mësojnë të notojnë”, ka thënë presidentja e DLRG, Ute Vogt, kur u publikua studimi. Ajo theksoi se duhet insistuar që fëmijët duhet të dinë të notojnë deri në fund të shkollës fillore.
DRLG-ja paralajmëroi efektet e dëmshme të mbylljes së pishinave, gjë që ndodhi në disa qytete gjermane për shkak të kursimit të energjisë.