Polonia do t’i kërkojë Gjermanisë leje për dërgimin e tankeve “Leopard” Ukrainës, ka deklaruar të hënën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki. Varshava po ndërton një koalicion shtetesh të gatshme për të dërguar tanket e prodhimit gjerman në frontin e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se Qeveria e saj do të aprovonte kërkesën eventuale polake për “Leopardët” e famshëm. Ajo ka thënë se Rusia nuk duhet assesi ta fitojë luftën.
“Kjo nënkupton se i gjithë vendi është nën sulm nga regjimi rus dhe kjo tregon se edhe 11 muaj pas fillimit të luftës brutale të agresionit, Putini nuk ka devijuar nga plani i tij vrastar për të shkatërruar Ukrainën. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që ne si bashkësi ndërkombëtare të bëjmë çmos të zotohemi për mbrojtjen e Ukrainës me qëllim që Ukraina të fitojë”, ka thënë ajo.
Ndërkohë gjatë ditës, Rusia ka dëbuar ambasadorin e Estonisë dhe misionin diplomatik të këtij vendi do ta udhëheqë një i ngarkuar me punë. Ambasadori estonez, Margus Laidre, është urdhëruar që të largohet nga vendi deri më 7 shkurt.
Ministria e Jashtme ruse e ka marrë këtë vendim në shenjë të hakmarrjes për atë që Moska e ka quajtur “hap i ri jomiqësor i Estonisë për të reduktuar në mënyrë drastike përmasat e Ambasadës ruse në Talin”.
Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë mbajtur bisedimet me homologun ukrainas nëpërmjet videolidhjes. Shefat e diplomacisë janë zotuar për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën.
© KOHA.