Punëtorët francezë kanë reaguar kundër propozimit për pensionim më të vonshëm.
Si formë kundërshtimi, punëtorët francezë kanë ndaluar trenat e shpejtë, kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ndërkaq të enjten kanë protestuar nëpër rrugë në një prej testeve më të mëdha për Emmanuel Macronin dhe presidencën e tij.
Punëtorët do të duhet të punojnë më gjatë para se të pensionohen. Mosha e tanishme e pensionimit është 62 vjet, mirëpo Qeveria franceze ka kërkuar që pensionimi të shtyhet deri në moshën 64-vjeçare.
Në shtetin me popullsinë që po i plaket dhe jetëgjatësia po rritet dhe që të gjithë marrin pension shtetëror, Qeveria e Macronit është arsyetuar se reforma pensionale është e vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë sistemin.
Sindikatat kanë argumentuar se rishikimi i pensioneve kërcënon të drejtat e fituara me aq shumë mund dhe kanë propozuar taksa ndaj të pasurve ose të ofrohen më shumë kontribute nga punëdhënësit me qëllim që të financohet sistemi i pensioneve.
Sondazhet kanë treguar se shumica e francezëve kundërshtojnë këtë reformë pensionale.
Më shumë se 200 protesta pritet të mbahen të enjten, përfshirë atë kryesore në Paris.