Botë

“Rambo i Rusisë”, dikur i preferuari i Putinit thotë se do të luftonte për Ukrainën

Aktori rus, Artur Smolyaninov, i cili më parë njihej si ylli i një prej filmave të preferuar të presidentit Vladimir Putin, tani po konsiderohet si “agjent i huaj” dhe po përballet me hetim penal, raportoi CNN-i të hënën.

Smolyaninov ishte heroi i "Devyataya Rota" (Kompania e 9-të), film artistik rus që doli në vitin 2005. Luajti rolin e ushtarit të fundit që qëndronte në këmbë gjatë një beteje në Afganistan, të cilin forcat sovjetike e pushtuan për një dekadë. Ai shpesh përshkruhej si Rambo i Rusisë, një shenjë për filmat aksion në SHBA me Sylvester Stallone.

Shumëçka ka ndryshuar që atëherë.

Smolyaninov po qëndron në mërgim dhe në një intervistë tha se është i gatshëm të luftojë në anën e Ukrainës dhe të vriste ushtarë rusë.

“Unë nuk ndjej asgjë përveç urrejtjes për njerëzit në anën tjetër (ruse) të vijës së frontit. Dhe nëse do të isha në atë tokë, nuk do të kisha mëshirë”, tha ai javën e kaluar për gazetën “Novaya”.

Ai shtoi se një ish-koleg i tij kishte shkuar për të luftuar në anën ruse dhe se do ta qëllonte po të ishte në vijë të frontit.

“A do ta qëlloja? Pa asnjë dyshim! A i mbaj të hapura opsionet e mia për të luftuar për Ukrainën? Absolutisht! Kjo është mënyra e vetme për mua. Dhe nëse do të shkoja në këtë luftë, do të luftoja vetëm për Ukrainën”, është shprehur më tej Smolyaninov.

Pak ditë më vonë, ministria Ruse e Drejtësisë e klasifikoi aktorin si agjent të huaj. Alexander Bastrykin, kreu i Komitetit Hetues të Rusisë, urdhëroi gjithashtu hapjen e një çështje penale kundër Smolyaninovit.

Smolyaninov ka qenë shumë kritik ndaj fushatës në Ukrainë. Së fundmi regjistroi një këngë të epokës sovjetike - Temnaya Noch (Nata e errët), me tekst të ripunuar.

“Hidhi një sy o okupator, si janë pa energji maternitetet, si ulen fëmijët në strehimore. Dhe si mbyten librat. Nata ruse ka arritur në shkolla dhe spitale”, janë disa ndër vargjet.

Tetorin e kaluar, një gjykatë e qarkut në Moskë vendosi një gjobë prej 430 dollarë amerikanë kundër Smolyaninovit me akuzën e diskreditimit të forcave të armatosura ruse. Po atë muaj, ai u largua nga Rusia dhe mendohet të jetë aktualisht në Letoni.

Smolyaninov tregoi se si ai kishte kaluar kufirin rus për në Norvegji.

“Kufirin e kalova në këmbë. Thjesht ecë 30 metra dhe ka njerëz krejtësisht të ndryshëm përballë. Ata janë aq të butë. Edhe pamja është ndryshe”.

Filmi "Devyataya Rota" ishte aq i popullarizuar sa Putini mirëpriti aktorët dhe ekuipazhin, përfshirë Smolyaninovin në rezidencën e tij jashtë Moskës në nëntor të vitit 2005.

Kremlini tha se pas shikimit të filmit, Putin bisedoi me regjisorin Fyodor Bondarchuk dhe aktorët kryesorë, përfshirë Smolyaninov.

“Filmi është shumë i fortë, një gjë shumë serioze për luftën dhe njerëzit që u gjendën në kushte ekstreme në këtë luftë dhe u treguan shumë të denjë”, ka thënë Putini atëbotë.

Ministria ruse e Drejtësisë ka shtuar një sërë të tjerë në listën e saj të agjentëve të huaj ditët e fundit, duke përfshirë kritikun muzikor Artemy Troitsky dhe disa gazetarë.