Të paktën 35 persona kanë vdekur si pasojë e një shpërthimi të dyfishtë me makinë bombë në provincën qendrore Hiraan, Somali, ka bërë të ditur policia.
Grupi i lidhur me Al-Kaedën, al-Shabab ka thënë se qëndron pas sulmit.
Komisioneri i qarkut të qytetit Mahas tha se shtëpia e tij dhe ajo e një deputeti lokal ishin objektivat, raportoi BBC-ja të mërkurën. Sipas tij, "shumica e të vdekurve janë civilë", duke përfshirë "gra dhe fëmijë".
Shpërthimet ishin aq të fuqishme sa dëshmitarët thanë se njerëzit larg vendeve të shpërthimit u plagosën nga pjesë që fluturuan.
"Ky ishte një sulm i tmerrshëm”, ka thënë dëshmitari Adan Hassan për agjencinë e lajmeve AFP, duke përshkruar trupat e pajetë që pa.
Al-Shabab ka humbur terren në muajt e fundit pasi presidenti, Hassan Sheikh Mohamud premtoi "luftë totale" kundër militantëve islamikë në gusht, pas një sulmi në një hotel të njohur në Mogadishu, ku u vranë më shumë se 20 njerëz.
Dy muaj më vonë, dy shpërthime makinash bombë pranë një kryqëzimi të ngarkuar në Mogadishu vranë të paktën 100 njerëz. Al-Shabab tha gjithashtu se ishte pas atij sulmi.
Presidenti Mohamud më pas mobilizoi ushtrinë somaleze dhe milicitë e klanit të mbështetur nga qeveria në një përpjekje për të marrë fshatra dhe qytete nga al-Shabab, i cili kontrollon zona të mëdha të vendit.
Pavarësisht humbjeve të territorit të tyre, al-Shabab ka vazhduar të kryejë sulme në Somalinë qendrore dhe jugore.
Forcat e Bashkimit Afrikan dhe fondet e SHBA-së janë ndarë për të ndihmuar Somalinë në luftën e saj kundër al-Shabab.