Një përplasje në ajër mes dy helikopterëve në Australi ka lënë katër persona të vdekur dhe tre të tjerë në gjendje kritike, thanë autoritetet të hënën.
Përplasja ka ndodhur rreth orës 14:00 pranë brezit të njohur turistik të Main Beach në Gold Coast, në jug të Brisbane.
“Këta dy avionë, kur u përplasën, u rrëzuan në bregun e rërës pak jashtë Sea World Resort”, u tha gazetarëve inspektori i policisë së Queensland, Gary Worrell, një oficer rajonal i detyrës për rajonin juglindor, shkruan CNN-i.
Ai shtoi se kishte qenë e vështirë për shërbimet e urgjencës të hynin në bregun e rërës, që ndodhet jo shumë larg bregut.
Trembëdhjetë persona ishin në dy helikopterë, sipas Jayney Shearman, nga Shërbimi i Ambulancës në Queensland (QAS). Prej tyre, katër persona vdiqën, tre pësuan lëndime të rënda dhe gjashtë kishin lëndime të lehta, duke përfshirë prerje nga xhamat e thyer.
Të gjithë të plagosurit janë dërguar në spital, tha ajo.
Fotot nga vendi tregojnë mbeturinat e shtrira në një rrip rëre, me personel të mbledhur në tokë dhe anije të shumta në ujërat përreth.
Worrell tha se megjithëse është shumë herët për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, hetimet fillestare sugjerojnë se një helikopter ishte duke u ngritur dhe tjetri duke u ulur kur u përplasën.
Një helikopteri “i është hequr xhami i përparmë dhe është ulur i sigurt në ishull. Tjetri (helikopteri) është rrëzuar dhe ka qenë me kokë poshtë”, tha ai.
Ai shtoi se pas rrëzimit, policia aty pranë dhe pjesëtarë të publikut nxituan në vendngjarje, duke u përpjekur të largojnë dhe të japin ndihmën e parë për ata që ndodheshin në helikopter.