Botë

Talebanët vazhdojnë ta kufizojnë lirinë e grave, ua ndalojnë punën në OJQ

Liritë e grave janë kufizuar më tej në Afganistan, pasi talebanët i ndaluan ato të punojnë për organizatat joqeveritare (OJQ), shkruan BBC.

Sundimtarët islamikë kanë thënë se punonjëset femra të OJQ-ve kishin shkelur ligjin e Sheriatit duke mos mbajtur hixhabin.

Vendimi vjen disa ditë pasi studentët gra u ndaluan nga universitetet.

Gratë e penguara për të shkuar në punë rrëfyen për BBC-së frikën dhe pafuqinë e tyre.

Njëra ka thënë se ajo ishte me rrogën më të madhe në familjen e saj dhe pyeti: "Nëse nuk mund të shkoj në punë, kush mund ta mbajë familjen time?".

Një tjetër grua që mban familje këmbënguli se ajo kishte respektuar kodin e rreptë të veshjes së grave të talebanëve. “Ky lajm është tronditës”, shtoi ajo. “Jam konfuze se çfarë do të ndodhë me jetën time”.

Një tjetër grua vuri në pikëpyetje "moralin islamik" të talebanëve, duke thënë se ajo tani do të vuante për të paguar faturat dhe për të ushqyer fëmijët e saj.

“Bota po na shikon dhe nuk bën asgjë”, ka thënë një tjetër e intervistuar.