Botë

SHBA-ja paralajmëron talebanët: Do t’iu kushtojë ndalimi i universitetit për gratë afgane

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar talebanët se do të ketë kosto për ta nëse nuk e anulojnë ndalimin e grave që ndjekin universitetin në Afganistan, shkroi të enjten “Al Jazeera”.

Blinkeni ka thënë se qeveria e udhëhequr nga talebanët në Kabul nuk do të jetë në gjendje të përmirësojë marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës nëse vazhdon t’u mohojë grave afgane të drejtat e tyre themelore.

"Ajo që ata kanë bërë është të përpiqen të dënojnë gratë dhe vajzat afgane me një të ardhme të errët pa mundësi. Dhe në fund të fundit është se asnjë vend nuk do të jetë në gjendje të ketë sukses – aq më pak të lulëzojë – nëse i mohon gjysmës së popullsisë së tij mundësinë për të kontribuar. Dhe për të qenë të qartë, ne jemi të angazhuar me vendet e tjera për këtë tani, do të ketë kosto nëse kjo nuk ndryshohet”, ka thënë Blinkeni gjatë një konference shtypi të fundvitit në Uashington.

Ekonomia e Afganistanit e varur nga ndihma është tashmë nën sanksione të rënda të SHBA-së dhe Perëndimit pas marrjes së vendit nga talebanët vitin e kaluar.

Masa për të pezulluar arsimin universitar për gratë, e shpallur në fillim të kësaj jave, shkaktoi zemërim në mbarë botën, duke përfshirë disa vende me shumicë myslimane që u bënë thirrje talebanëve të anulojnë dekretin.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë të enjten se ndalimi nuk ishte “as islamik dhe as njerëzor”.

“Çfarë dëmi ka shkollimi i grave? Çfarë dëmi i bën Afganistanit? A ka ndonjë shpjegim islamik? Përkundrazi, feja jonë, Islami, nuk është kundër edukimit; përkundrazi, inkurajon arsimin dhe shkencën”, është shprehur Çavushoglu.

Në kryeqytetin afgan të enjten, rreth 50 protestues kryesisht femra u mblodhën jashtë Universitetit të Kabulit, duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur, "Arsimi është e drejta jonë, universitetet duhet të hapen".

Një ditë më parë studentët në Universitetin Nangahar në Afganistanin lindor protestuan gjithashtu, teksa studentët meshkuj të mjekësisë u larguan nga provimet në shenjë proteste ndaj përjashtimit të shoqeve të tyre të klasës.