Botë

Britania e Madhe, Italia e Japonia bashkojnë forcat për të krijuar një avion të ri luftarak

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka njoftuar për bashkëpunimin midis Britanisë së Madhe, Italisë dhe Japonisë, për të krijuar një avion të ri luftarak, i cili do të përdor inteligjencën artificiale.

Sipas BBC-së, Sunak ka thënë se nisma e përbashkët synon të forcojë lidhjet e sigurisë si dhe të krijojë mijëra vende pune në Britani.

Shtetet do të zhvillojnë një luftëtar të gjeneratës së ardhshme, i cili pritet të hyjë në shërbim në vitet 2030-të dhe i cili përfundimisht pritet të zëvendësojë avionin Tajfun.

Puna për zhvillimin e avionit të ri Tempest, tashmë ka filluar dhe synimi është që të krijohet një avion luftarak të shpejtë, që do të përdorë sensorë të përparuar dhe madje edhe inteligjencë artificiale për të ndihmuar pilotin kur është në stres ekstrem apo kur avioni është duke u rrëzuar.

Nëse kërkohet, ai do të mund të fluturojë edhe pa pilot dhe do të mund të gjuajë edhe raketa hipersonike.

Por ndërtimi i një avioni kaq kompleks është jashtëzakonisht i shtrenjtë, kështu që Britania ka qenë në kërkim të partnerëve për të krijuar këtë avion të ri.

Italia tashmë ishte pjesë e projektit dhe përfshirja edhe e Japonisë është shumë e rëndësishme në këtë aspekt.

Për Britaninë e Madhe, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë, por edhe me ekonominë. Shpresa është se zhvillimi i një avioni të ri luftarak mund të krijojë mijëra vende pune dhe të hapë dyert për më shumë eksporte armësh.