Forcat irianiane të sigurisë kanë për qëllim që t’i gjuajnë në fytyrë, gjoks dhe organe gjenitale gratë në protestat kundër regjimit.
Mjekët dhe infermierët që po trajtojnë demonstruesit në fshehtësi për të shmangur arrestimin, kanë thënë se kanë vënë re se gratë shpesh kishin plagë të ndryshme nga burrat, të cilat më shpesh kishin fishekë në këmbë dhe shpinë, ka raportuar “The Guardian” të enjten.
Fotografitë e ofruara nga mjekët për “Guardian” kanë treguar plagë shkatërruese në të gjithë trupin e tyre nga të ashtuquajturat fishekë zogjsh, të cilat forcat e sigurisë i kanë gjuajtur në drejtim të njerëzve nga një distancë e afërt.
“The Guardian” ka folur me 10 profesionistë mjekësorë të cilët kanë paralajmëruar për seriozitetin e lëndimeve që mund të lënë qindra të rinj iranianë me dëmtime të përhershme. Të shtënat në sytë e grave, burrave dhe fëmijëve ishin tejet të zakonshme, kanë thënë ata.
Një mjek nga provinca qendrore e Isfahanit ka thënë se ai besonte që autoritetet po synonin burrat dhe gratë në mënyra të ndryshme “sepse ata donin të shkatërronin bukurinë e grave”.
“Kam trajtuar një grua rreth të 20-ave, e cila u qëllua në organet gjenitale nga dy fishekë. Dhjetë fishekë të tjerë ishin në pjesën e brendshme të kofshës së saj. Këto 10 pelete u hoqën lehtësisht, por ata dy fishekë ishin një sfidë, sepse ishin futur në mes të uretrës së saj dhe hapjes vaginale”, ka thënë mjeku.
“Kishte një rrezik serioz të infeksionit vaginal, ndaj i kërkova të shkonte te një gjinekologe e besuar. Ajo tha se po protestonte kur një grup prej rreth 10 agjentësh të sigurisë u rrethuan dhe e qëlluan në organet gjenitale dhe kofshët e saj”, ka shtuar mjeku.
I traumatizuar nga përvoja e tij, mjeku, i cili si të gjithë profesionistët mjekësorë që kanë folur për “Guardian”, u prononcua në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes, ka thënë se e kishte të vështirë të përballej me stresin dhe dhimbjen që pa.
Disa nga profesionistët e tjerë të mjekësisë akuzuan forcat e sigurisë, duke përfshirë milicinë e frikshme pro regjimit Basij, për injorim të praktikave të kontrollit të trazirave, të tilla si gjuajtja me armë në këmbë për të shmangur dëmtimin e organeve vitale.
Një mjek nga Karaj, një qytet afër Teheranit, tha se forcat e sigurisë “qëllojnë në fytyrat dhe pjesët private të trupit të grave sepse ato kanë një kompleks inferioriteti”.
“Ata duan të heqin qafe komplekset e tyre seksuale duke i lënduar”, ka shtuar ai.
Aktivistët thonë se një dhunë e tillë e tmerrshme me bazë gjinore nuk është befasi duke pasur parasysh sundimin mizogjen të ajatollahëve të Iranit, të cilët morën pushtetin në revolucionin e vitit 1979 dhe kanë mbajtur kontrollin me forcë brutale, shpesh kundër grave.
Ishte vdekja në shtator e një gruaje 22-vjeçare, Mahsa Amini, ajo që ndezi sfidën më të guximshme ndaj sundimit, duke çuar në protesta të vazhdueshme atje.
Amini u arrestua për mbajtjen e pahijshme të shamisë së saj dhe më pas thuhet se u rrah për vdekje nga policia morale e Iranit. Në ditët pas vdekjes së saj, vajzat dhe gratë në mbarë vendin kundërshtuan kodin ligjor të veshjes dhe hoqën hixhabet e tyre.