Botë

Sulm me thikë në Gjermani, vritet një nxënëse e një tjetër plagoset

Një vajzë 14-vjeçare ka vdekur ndërkaq një tjetër 13-vjeç ka pësuar lëndime të rënda pasi një burrë i ka sulmuar me thikë derisa po shkonin në shkollë, në Gjermaninë jugore.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari vinte nga një strehimore refugjatësh në fshatin Illerkirchberg të hënën në mëngjes dhe ka sulmuar nxënëset, raportoi BBC-ja.

Sipas Policisë, vajza më e madhe ka vdekur në spital nga plagët.

Policia ka arrestuar burrin 27-vjeçar si të dyshuar për sulmin, derisa është bërë e ditur se ai ishte një kërkues azili nga Eritrea.

I dyshuari është gjetur me thikë në dorë në një ndërtesë afër vendit ku ka ndodhur sulmi. Në lidhje me rastin janë burgosur edhe dy burra të tjerë.

Ndërkaq, nga spitali ku po trajtohet 13-vjeçarja është bërë e ditur se ajo është jashtë rrezikut për jetë.

Illerkirchberg është një qytet i vogël me më pak se 5,000 banorë.