Botë

Zëvendëskryeministri rus Rogozin, shpallet ‘person non grata’ në Moldavi

Descriptive Text

Ministria e Jashtme e Moldavisë ka thënë se zëvendëskryeministri rus Dmitry Rogozin është shpallur “person non grata”, pas komenteve që ai ka bërë rreth Moldavisë gjatë një interviste në një kanal televiziv rus.

Qeveria moldaviane e ka miratuar masën e propozuar nga ministri i Jashtëm, Andrei Galbur, i cili përcakton se Rogozinit i ndalohet hyrja apo kalimi përmes territorit të Moldavisë.

“Bazuar në komentet e zëvendëskryeministri rus, qeveria moldaviane e ka shpallur Dmitry Rogozinin ‘person non grata’, duke i ndaluar hyrjen në Moldavi”, ka thënë ministria përmes një deklarate, raporton REL.

Qeveria e ka sqaruar vendimin duke cituar deklarata publike kontroverse të Rogozinit rreth Moldavisë, popullit dhe qeverisjes së saj më 28 korrik, ditën kur autoritetet rumune i kanë ndaluar Rogozinit fluturimin në territorin e Rumanisë.

Rogozin kishte planifikuar të mbante takim me presidentin prorusë të Moldavisë, Igor Dodon dhe të marrë pjesë në festimet kontroverse të 29 korrikut të iniciuara nga Moska, për të shënuar 25 vjetorin e të ashtuquajturit operacion paqeruajtës në regjionin e ndarë të Moldavisë, Transdniester.

Deklarimi i pavarësisë nga separatistët e rajonit Transdniester në vitin 1990 nuk është njohur ende nga asnjë vend.

Transdniestria i ka qëndruar besnike Moskës nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Rusia mban në këtë rajon 1200 forca ushtarake, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Moldavisë për t’i zëvendësuar të njëjtit me paqeruajtës ndërkombëtarë.

Rogozin ka qenë cak i sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja për shkak të mbështetjes së tij publike të aneksimit të paligjshëm të Krimesë.

Si shkak i këtyre sanksioneve, atij i ndalohet hyrja në vendet e BE-së.