Botë

Ukraina mbledh dhe ruan copat e raketave ruse

Copa të raketave dhe armatimeve të tjera të Rusisë janë duke u ruajtur në një vend të fshehtë në qytetin e Kharkivit, me qëllim që më vonë të përdoren si prova për ekspertët e forenzikës dhe gjykatat ndërkombëtare. Prokurori i rajonit të Kharkivit në Ukrainë ka thënë se janë disa depo të tilla nëpër qytet.

Në disa prej raketave janë të dhënat se nga ku janë lëshuar dhe mund të krahasohen të dhënat me copat e tjera të raketave. Hetuesit ukrainas kanë shënuar lokacionin e bombardimit, datën dhe kohën në secilën copë të këtyre raketave.

Në dy muajt e fundit, Rusia ka ndërruar planin e luftës, duke bombarduar rrjetin energjetik të Ukrainës me qëllim që t’i lërë në terr dhe në të ftohtë ukrainasit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se më shumë se një e treta e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është shkatërruar si pasojë e bombardimeve të Rusisë.