Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Rusisë do t'i duhet t'i jepen garanci të caktuara sigurie në të ardhmen, kur u pyet për luftën në Ukrainë në një intervistë për TF1.
Macroni në fillim të bisedës iu referua takimit me presidentin amerikan Joe Biden, ku ndër të tjera u diskutua edhe për Ukrainën. Gjatë intervistës, Macroni ka thënë se ai dhe Bideni ndajnë të njëjtin vizion kur bëhet fjalë për Ukrainën.
"Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën të rezistojë dhe do të bëjmë gjithçka për të bërë presion mbi Rusinë që të kthehet në tryezën e bisedimeve. Unë do të flas përsëri me Putinin, veçanërisht për temën e energjisë bërthamore", ka thënë Macron.
I pyetur nëse lufta do të përfundojë në tryezën e bisedimeve, Macroni ka thënë se ishte e pritshme, por gjithashtu theksoi se varet nga ukrainasit se në cilin drejtim do të zhvillohen këto negociata.
"Është në dorën e popullit ukrainas të vendosë se kur dhe në çfarë kushtesh do të fillojnë negociatat, nuk varet nga ne”, është mendimi i presidentit francez.
Megjithatë, ai theksoi se garanci të caktuara sigurie do t'i jepen edhe Rusisë.
“Ne duhet të mendojmë se çfarë jemi gati të bëjmë, si të mbrojmë aleatët tanë, vendet anëtare të NATO-s, dhe në të njëjtën kohë t'i japim Rusisë garanci për sigurinë e saj kur të kthehet në tryezën e bisedimeve”, përfundoi Macron.