Botë

Macron takohet me Bidenin: Ju do ta zgjidhni problemin tuaj, por do ta bëni timin më të madh

Presidenti francez Emmanuel Macron iu drejtua përfaqësuesve amerikanë nga të dyja partitë politike dhe shprehu pakënaqësinë e tij me planin e subvencionimit për kompanitë amerikane që do të prekë drejtpërdrejt kompanitë franceze dhe evropiane, shkruan Reuters.

Macron mbërriti në Uashington të martën për vizitën e tij të dytë shtetërore në SHBA që nga marrja e detyrës në vitin 2017, pasi zyrtarët francezë thanë se ai do të përballej me presidentin Joe Biden mbi subvencionet që përmban ligji kundër inflacionit.

Në një takim me ligjvënësit amerikanë në Bibliotekën e Kongresit, Macroni ka thënë se projektligji kundër inflacionit ishte "super agresiv" ndaj kompanive evropiane. Zyra e Macronit refuzoi të konfirmonte këtë informacion, i cili u raportua fillimisht nga Agence France-Presse.

"Unë nuk dua të bëhem treg për produktet amerikane sepse kam saktësisht të njëjtat produkte si ju. Unë kam një klasë të mesme që duhet të punojë dhe njerëz që duhet të gjejnë punë. Dhe pasoja e ligjit të inflacionit është që ju mund të zgjidhni problemin tuaj, por ju do ta bëni timin edhe më të madh. Më falni që më pëlqen të jem kaq i drejtpërdrejtë", ka thënë Macron.

Udhëheqësit evropianë janë ankuar për paketën legjislative, të nënshkruar nga Bideni në gusht, e cila ofron subvencione të mëdha për produktet e prodhuara në SHBA, për të cilat ata thonë se në mënyrë të padrejtë disfavorizon kompanitë jo-amerikane dhe do të ishte një goditje e rëndë për ekonomitë e tyre pasi Evropa po përballet me pasojat e luftës në Ukrainë.

Pasi republikanët fituan Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e këtij muaji, përpjekjet e Macronit për të kontaktuar të dyja palët janë një pranim se ai duhet të shkojë përtej Bidenit për të përmirësuar bashkëpunimin me Uashingtonin.

Vizita e Macronit erdhi pasi ministrat e NATO-s u takuan në Bukuresht dhe premtuan më shumë ndihmë për Ukrainën në përballimin e sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike.