Botë

NATO: Detyra kryesore është ta ndihmojmë Ukrainën për ta fituar luftën

Jens Stoltenberg sekretar i pergjithshem i NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se detyra kryesore e aleancës ushtarake është ta ndihmojë Ukrainën që ta fitojë luftën kundër Rusisë, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Pa dhënë shumë detaje, Stoltenberg tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO ende nuk është çështje prioritare, pasi siç u shpreh ai, në rast të humbjes së luftës, nuk do të jetë më në rendin e ditës.

Stoltenberg theksoi se nga situata në Ukrainë duhet të nxirret mesazh për t’u mbështetur vendet e tjera ku ndikimi rus është evident.

“Mendoj se një mësim i rëndësishëm që duhet nxjerrë nga situata me Ukrainën është se ne duhet t’i mbështesim këto vendeve tani, dhe jo kur ngjarjet fillojnë të zhvillohen në drejtimin tjetër”, deklaroi ai në Samitin e NATO-s në Rumani.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm, lufta në Ukrainë tregoi edhe varësinë e rrezikshme të Evropës për gazin rus.

“Kjo duhet të jetë një arsye për të pyetur veten se sa i varur është Perëndimi nga regjimet e tjera autoritare, jo më pak nga Kina, për zinxhirët tanë të furnizimit, teknologjinë ose infrastrukturën. Ne sigurisht se do të vazhdojmë të tregtojmë dhe të bashkëpunojmë ekonomikisht me Kinën, por duhet t’i kujtojmë varësitë, të zvogëlojmë cenueshmerinë tonë dhe t’i menaxhojmë rreziqet”, u shpreh ai.

Ndërsa, në një deklaratë të përbashkët të krerëve të punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, u tha se aleatët duhet t’i mobilizojnë forcat e tyre “në çështjet e mbështetjes ushtarake, ekonomike, financiare dhe humanitare për Ukrainën”.

Për deklarimet e Stoltenbergut, përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se NATO-ja nuk është absolutisht e interesuar për zgjidhje politike dhe diplomatike në Ukrainë.