Botë

Festa e shqiptarëve bllokon trafikun në Londër, reagojnë policia e politikanët

Mbrëmjen e djeshme, më 28 nëntor, një numër i madh i shqiptarëve kanë shënuar Ditën e Flamurit duke vozitur vetura të shtrenjta në qendër të Londrës. Kjo shkaktoi një kolaps trafiku, i cili zemëroi jo pak njerëz. Nuk kanë munguar as reagimet nga politikanët, shkruan Sky News.

Janë publikuar video dhe foto që tregojnë festën në vetura luksoze si Lamborghini, Porsche, Range Rover, Mercedes dhe Audi. Në automjete ka pasur flamuj shqiptarë, rrugët e metropolit u bllokuan. Policia njoftoi se gjatë festës është arrestuar një person.

Disa britanikë janë të nervozuar se u bllokuar trafiku për gati një orë. Nga ana tjetër, të shumtë janë ata që nuk mund të mos reagojnë ndaj automjeteve të shtrenjta.

Një nga britanikët u shpreh: “Duke parë këto vetura luksoze, duket se shqiptarët nuk do ta kenë problem rritjen e çmimeve”.

Nigel Farage, një politikan që kundërshton fuqishëm emigracionin, shkroi në Twitter: "Kjo ishte në Londër mbrëmë. Zoti na ndihmoftë".

Ky ishte tubimi i dytë i shqiptarëve në Londër këtë muaj. Dy javë më parë, ata shpalosën një flamur mbi statujën e kryeministrit të famshëm britanik Winston Churchill, duke shprehur kështu pakënaqësinë e tyre me deklaratën e ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila e quajti ardhjen e emigrantëve, mes të cilëve një numër i madh shqiptarësh, një pushtim. Më pas protestuesit bërtisnin: “Jo të gjithë shqiptarët janë kriminelë”. Përveç kësaj, ata thanë se shqiptarët nuk kanë faj për rritjen e krimit në Britaninë e Madhe.

Shqiptarët këtë vit janë emigrantët më të shumtë që vijnë në Britaninë e Madhe me anije përtej Kanalit Anglez. Që nga fillimi i vitit, 12 mijë kanë shkuar në Britani, ndërsa, për krahasim, vetëm 50 ishte numri i tyre në vitin 2020. Nga 12 mijë, 10 mijë janë burra, që është dy për qind e popullsisë së rritur të Shqipërisë.