Botë

Që nga fillimi i muajit, çmimi i naftës në tregun botëror ka pasur rënie të vazhdueshme

Që nga fillimi i muajit, çmimi i naftës në tregun botëror ka pësuar rënie të vazhdueshme. Disa nga arsyet janë frika që lidhet me Kinën, por edhe negociatat për kufizimin e mundshëm të çmimit të naftës ruse nga Bashkimi Evropian, shkruan CNN.

Në fillim të këtij muaji, më 4 nëntor, çmimi i naftës nga Deti i Veriut - Brent ishte 98.57 dollarë për fuçi. Aktualisht, kjo naftë për kontratat e dhjetorit po tregtohet me 84.60 dollarë për fuçi. Ditën e hënë, çmimi i naftës ishte vetëm disa cent më i lartë se 80 dollarë për fuçi.

Një rënie e ngjashme në çmim u vu re në indeksin amerikan të naftës WTI. Një fuçi e kësaj nafte në fillim të muajit shitej 92.61 dollarë dhe të martën më 29 nëntor këmbehej me 78.38 dollarë për fuçi.

Rënie e çmimeve është shënuar edhe në indekset e tjera të naftës. Kështu, në kulmin e çmimit këtë muaj, shporta e naftës e OPEC-ut arriti në 97.32 dollarë për fuçi dhe të premten kjo naftë tregtohej me 83.8 dollarë për fuçi.